Pas 331 ditëve ku qëndroi në arrest shtëpie, Sali Berisha u rikthye në selinë blu, ku u prit nga mbështetës të Partisë Demokratike.
“U krye dhe kjo punë”, tha Berisha.
Procesin ndaj tij e cilësoi politik, teksa Edi Ramën e akuzoi për grusht shteti, duke i kujtuar kushtin e panegociueshëm.
“Krijo qeveri teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd”, tha ai.
Pavarësisht se për të drejtësia e re është në shërbim të kryeministrit, një falenderim nuk kurseu në adresë të gjyqtares që i riktheu lirinë.
“Nderoi ligjin, nderoi moralin e ligjit dhe të Kushtetutës”, shtoi Berisha.
Veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës në këto zgjedhje, mesazh të cilin e përforcoi edhe gjatë konferencës për mediat, ku pa komentuar nuk la edhe kërkesën e SPAK-ut për ankimim të vendimit të GJKKO-së.
“Të bëjnë ç’të duan, Sali Berisha nuk ka asgjë në botë që e ndalon në këtë betejë”, tha Berisha.
Kundërshtarin e tij politik e sfidoi duke e ftuar jo vetëm në fushëbetejë, por edhe në debat televiziv.
“Tmerrohej nga dritarja, imagjinoje vetë tani në fushë. S’del dot ai. Të vijë nesër në debat, t’ia nxjerr të gjitha një nga një, t’ia numëroj të gjitha lidhjet me krimin që ka, të gjitha vjedhjet e mëdha që ka bërë”, u shpreh Berisha.
Pas konferencës me gazetarët Berisha u takua edhe me deputetët e grupit parlamentar me të cilët do të nisë krahas betejës në Kuvend së bashku me strukturat drejtuese edhe atë për fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Tv Klan