E shtuna e gjeti Sali Berishën mes zgjedhjeve në parti dhe takimeve me diasporën, të cilës në një bashkëbisedim virtual i kërkoi të regjistrohet për të bërë ndryshimin me votë në betejën elektorale të 11 Majit.

“Këto 72 orë që kanë mbetur ta bëjmë natën ditë, të bëjmë çdo përpjekje për të regjistruar çdo shqiptar, shqiptare që njohim jashtë Shqipërisë. Të bëjmë çdo gjë që më 11 Maj çdo shqiptar jashtë vendit të votojë”, u shpreh Berisha.

Por kjo nuk ishte e vetmja thirrje që Berisha pati për emigrantët.

“Të punoni me çdo shqiptar që njihni dhe që është regjistruar, në mënyrë që ai të votojë për PD-në, pavarësisht se kush e ka regjistruar, por edhe pavarësisht se çfarë bindjesh mund të ketë pasur. Unë çdo ditë pres socialistë që vijnë nga zona të ndryshme, edhe biznesmenë ka prej tyre dhe më thonë se kemi ardhur për të garantuar se do votojmë kundër kësaj qeverie”, deklaroi ai.

Shqiptarët në diasporëqë nuk kanë mundur të regjistrohen, por që kanë mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e rrugës, i ftoi të vijnë për të votuar në atdhe.

“Kjo do ishte jashtëzakonisht e dobishme. Aq më tepër kur e thatë vetë që ka prej atyre që kanë problematikat e tyre për t’u regjistruar me dokumentet. Në rast se e kanë emrin në lista, të vijnë në Shqipëri të votojnë”, u shpreh Berisha.

Berisha foli për një program ambicioz, në themel të të cilit tha se qëndron rimëkëmbja e ekonomisë, rritja e pagave dhe pensioneve, ulja e disa prej tarifave, si dhe heqja e taksave të rrugëve kombëtare.

“Ju garantoj se nuk do të gjeni taksa rrugësh, as në Kalimash e as në ndonjë zonë tjetër. Shqiptarët sot të dashur miq, udhëtojnë me koston më të lartë në Europë për shkak të çmimit të naftës dhe taksave të rrugëve. Do të hiqen.”

Kundërshtarin e tij politik e akuzon për lidhje me klane mafioze që sipas tij kontrollojnë edhe kriptomonedhat, ndaj në programin ekonomik të Partisë Demokratike, Berisha tha se do t’i japë zgjidhje këtij fenomeni, duke legalizuar përdorimin e këtyre monedhave.

“Klane mafioze nga strofullat e tyre i kërkojnë Ramës t’ua japë atyre monopolin e Bitcoin. Programi ynë parashikon Bitcoinin, Blockchain dhe natyrisht formalizim dhe legalizim sipas rregullave më transparente”, tha kryedemokrati.

Pas ardhjes në pushtet, kreu i opozitës premtoi shumëfishim të zyrave konsullore, mes të cilave edhe atë në Miçigan për kontributin që sipas tij diaspora dha për fitoren e Presidentit Donald Trump në zgjedhje.

Tv Klan