Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë në një intervistë për mediat greke se nuk do të mbajë të njëjtën marrëdhënie që kryeministri Edi Rama ka me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, që ai e quan të gabuar.

“Turqia është një aleat, një partner i Shqipërisë. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk mund të jenë kurrë në dëm të një pale të tretë. Përkundrazi, Shqipëria do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e vet, me Greqinë, me vende tjera, por natyrisht marrëdhënie me Turqinë do jenë marrëdhënie normale. Nuk mund të them se do të kenë karakterin e atyre marrëdhënieve që pati Rama-Erdogan, sepse nuk jam unë për ato lloj marrëdhëniesh. Jam për marrëdhënie normal, miqësore, dhe kjo është”.

Një prioritetet që thotë se Partia Demokratike ka kur të rikthehet në pushtet është përmirësimi i marrëdhënieve me Greqinë dhe zgjidhja e çështjes së kufirit detar.

“Mendoj se, lidhjet midis Greqisë dhe Shqipërisë në tërësi kanë zhvillimet e tyre pozitive, por problemet e krijuara këto vite janë probleme të cilat në një farë mënyre i ngadalësuan këto marrëdhënie, por edhe i dëmtuan. Unë mendoj se, zgjidhja e Marrëveshjes së detit, rikthimi dhe vendosja e kësaj marrëveshje për zgjidhje është një nga objektivat e mia”.

I pyetur për minoritetin grek dhe pronat e tyre, Berisha bën akuza të forta për kryeministrin Rama.

“Edi Rama ka votuar një ligj, i cili de facto, potencialisht e bën tokën në të gjithë bregun shqiptar të konfiskueshme për motive mafioze”.

Berisha thotë se Rama është narkodiktator dhe se nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Berisha foli dhe për ardhjen e Chris LaCivita në fushatën e tij ndërsa përsëriti se është kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët.

Tv Klan