Edhe 112-vjetorin e Pavarësisë, politika shqiptare e festoi e ndarë edhe pse në të njëjtin qytet, në Vlorë, ku u ngrit flamuri kombëtar më 28 Nëntor të vitit 1912.
Demokratët organizuan takimin e tyre në qytetin simbol të Pavarësisë, ku mori pjesë online edhe kryetari i PD, Sali Berisha, i cili të mërkurën u lirua nga arresti në shtëpi.
Në fjalën e tij, Berisha tha se Shqipëria është larg vizonit që patën firmëtarët e Pavarësisë për shkak të keqqeverisjes nga Edi Rama.
Duke kujtuar vështirësitë e PD gjatë periudhës disa vjeçare të përçarjes, kryedemokrati tha se është detyrë e saj që të rrëzojë qeverinë “Rama”, të cilën e cilëson një diktaturë moderne.
Rruga për rrëzimin e qeverisë, sipas tij, është vetëm vijimi i mosbindjes civile.
Një porosi pati edhe për strukturat e PD.
Në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, në Vlorë ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kryetari i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, të cilët kryen nderime në varrin monumental të Ismail Qemalit në sheshin e Flamurit.
Klan News