Kryetari i qeverisë Sali Berisha garantoi opozitën për shqyrtim me seriozitet të dy propozimeve ligjore të Partisë Socialiste të depozituar në Kuvend një ditë nga thyerja e bojkotit.

Sali Berisha: “Këto nisma do të trajtohen me seriozitetin më të madh, me angazhimin më të madh në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dhe mesa di unë kryetarja e parlamentit do të njoftonte për këtë udhëheqjen e Partisë Socialiste.”

Por kryeministri zgjodhi të bëjë transparencën e propozimeve të ofruara nga ndërkombëtarët në tryezën me Presidentin Topi, kjo sikundër tha për t’i ofruar opinionit publik të vërtetën e mosmbërritjes në një marrëveshje të dy partive të mëdha. Kryeministri e cilësoi të pavërteta akuzat e komponentëve të Partisë Socialiste që ngarkojnë mazhorancën me fajin e mopsasjes ende të një marrëveshjeje politike. Për këtë zoti Berisha  iu referua 2 propozimeve të bëra nga ndërkombëtarët, të mbështetura nga Partia Demokratike, por të refuzuara nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Sali Berisha: “Si komitetit presidencial ashtu edhe ndërmjetësve të mëparshëm të një profile të lartë u është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qëndrimi që të gjitha problemet që zoti Rama ka me fakte dhe prova dhe që implikojnë me një mënyrë ose tjetër hapjen e kutive, që ia adresojnë prokurorisë së shtetit e cila në Shqipëri nuk është degë e ekzekutivit dhe prokuroria e shtetit ka të gjitha të drejtat ligjore për të ushtruar të gjithë kompetencat që ajo mendon se i duhen për të kompletu hetimin. Kjo pranohej nga unë si koncesion pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve. Por unë e pranoj plotësisht. Natyrisht kjo nuk u pranua nga zoti Rama. Ndaj dhe në qoftë se nuk pati marrëveshje , kjo jo për shkak timin.”

Propozimi i dytë gjithashtu i hedhur nga delegacioni i komitetit presidencial të Këshillit të Europës, i mbështetur nga kryeministri Berisha lidhet me një përfshirje të Komisionit të Venecias  për t’i dhënë përgjigje vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi hapësirat që ka për hetim Komisioni Hetimor Parlamentar edhe ky opsion sikundër tha kryeministri u refuzua nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Sali Berisha: “Në tryezë u shtrua opsioni tjetër sepse çfarë doli, e qartë si kristali doli kjo kërkesa për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet pa procedura kushtetuese, në respekt me vendimin e kushtetutës. Kjo ishte shumë e qartë. U sugjerua që mirë dhe unë u shpreha i gatshëm, ja u them unë ju. Unë u shpreha i gatshëm që gjykata në vullnetin e saj të pavarur, sepse  s’mund të imponohet absolutisht  të kërkojë … Komisionit të Venecias. S’kisha asnjë lloj për gjersa ekziston një vendim gjykate është gjykata, se nuk mundet qeveria në asnjë lloj rrethane që të nisë betejën me gjykatën e vet kushtetuese. Qeveria është e detyruar të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Se po të jetë për kështu atë zinxhirin që përmend zoti Rama të atyre  vendimeve  do kishim çuar të gjithë në instancat ndërkombëtare, po s’kemi çu asnji. S’kemi dërgu asnji i kemi pranuar. Kjo nuk u pranua. Prandaj dhe një sqarim për të gjithë shqiptarët, një sqarim për socialistët se në rast se u hy në parlament pa marrëveshje, jo se unë nuk dëshmova një vullnet të plotë për marrëveshje, dëshmova edhe e dëshmoj sepse pavarësisht se çfarë mund të mendojë ndokush, unë jam thellësisht, jashtëzakonisht i interesuar që opozita të jetë në parlament. Ndaj dhe u detyrova të bëj këtë sqarim, si rrjedhim i akuzave të pabazuara se ne hymë në parlament pa marrëveshje sepse Berisha nuk ofroi. Berisha ofroi. Berisha ra dakord me ato sugjerime që u bënë nga ndërkombëtarët, nga ato që mu kërkuan sa për dijeninë tuaj. Pa shkuar në tryezën e presidentit m’u kërkua ‘a do pranoje ti një gjë të tillë për prokurorin’? Pa asnjë hezitim dhe pa asnjë kusht jam shprehur. Aty në tryezë u shtrue ‘a pranoni që t’i drejtohemi Vencias’? Pa diskutim pranoj skam asnjë lloj problem. Por natyrisht sipas procedurave. Nuk mundet që qeveria t’i drejtohet Venecias për vendime të gjykatës së vetë. Kjo s’ndodh.”

Kryeministri Berisha ripërsëriti në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat se mbetet i hapur të shqyrtojë të gjitha çështjet bilaterale me Partinë Socialiste, përveç atyre që lidhen me sistemin gjyqësor. Duke iu referuar kësaj të fundit zoti Berisha theksoi se qeveria do respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk do të ndjekë asnjëherë praktikën e ankimimit të vendimeve të gjykatës në Komisionin e Venecias./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi