Dy projekte ambicioze me vlerë 2.5 miliard euro do të firmosen gjatë vizitës së presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë të martën në Tiranë.
Kryeministri Berluskoni, i cili me ftesë të kryeministrit Berisha do të zhvillojë vizitën e tij në parë në vendin tonë që prej ardhjes në qeveri një vit më parë, do të firmosë me homologun shqiptar projektin më të madh të energjisë me erë në Evropë me vlerë 1.5 miliard euro.
Projekti ambicioz pritet të realizohet në gadishullin e Karaburunit dhe parashikon ndërtimin e 260 turbinave për prodhimin e energjisë me amë të erës. Firma që do të marrë përsipër këtë investim dypalësh është kompania italiane Moncada.
Një tjetër projekt i rëndësishëm që do të nënshkruhet gjatë vizitës disa orëshe të kreut të qeverisë italiane është ai për ndërtimin e rigazifikatorit në Fier, i cili kap një vlerë prej 1 miliard eurosh.
Berisha dhe Berluskoni pritet të diskutojnë edhe për projektin aq të përfolur të ndërtimit të centralit bërthamor, ambicie dypalëshe kjo e bërë publike herë pas here nga dy liderët.
Vizita e Berluskonit në Tiranë ka ngjallur interes të veçantë dhe në shtypin ndërkombëtar, kështu prestigjiozja Financial Times, shkruan se projekti më i madh që do të jetë në tryezën e 2 liderëve do të jetë ai i turbinave të erës, një stacion që do të jetë më i madhi në Evropë.
Kriza kronike energjetike që ka goditur Shqipërinë sipas FT, dhe ambiciet e Berishës për krijimin e një korridori rajonal energjetik kane çelur një treg të ri për kompanitë italiane, që favorizohet dhe nga nisma e qeverisë shqiptare për krijimin e lehtësirave për investitorët e huaj, siç është Shqipëria “1 euro”.
Pas takimit me Berishën, kryeministri Italian do te takohet për pak minuta dhe me presidentin Topi, ndërsa është parashikuar dhe një takim dhe investitorët Italian që operojnë në Shqipëri.
Kjo është vizita e parë e Berluskonit në Shqipëri që prej një viti që ai drejton qeverinë italiane./tvklan.al