A ka të drejtë Silvio Berluskoni të shtypë median e lirë për shkak të problemeve të tij juridike?

Është kjo pyetja që po mundon deputetët evropian në Strasburg, të cilët në seancën e sotme në parlamentin evropian në Strasburg, u përballën ashpër mbi çështjen e pluralizmit mediatik. 

Debati nisi pas një kërkese të Federatës Italiane të Gazetarëve që censura dhe ndërhyrjet politike në media të mos cilësohen vetëm një problem italian.

Për këtë federatë, Berluskoni nuk ka të drejtë t’i mbyllë gojën medias kur flasin kundër tij dhe t’i hedhë në gjyq sepse publikojnë lajmet në lidhjet me aferat e tij, por kjo çështje ka ndezur atmosferën në Strasburg, në selinë e parlamentit evropian.

Deputetët kanë debatuar ashpër  mbi kohën e paraqitjes së  një ligj të ri që do të garantonte pluralizmit e pronësisë së medias në vendet anëtare të Bllokut.

Konservatorët mendojnë se i takon qeverive kombëtare të organizojnë mediat e tyre, ndërsa socialistët dhe liberalët besojnë se ka ardhur koha që mediat të jenë të lira nga kontrolli qeveritar e si rrjedhojë nga ndërhyrjet politike.

Ky debat cilësohet si presioni i radhës ndaj kavalierit i zhveshur tashmë nga çdo imunitet juridik. /tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle