Gjashtë marrëveshje me karakter ekonomik mes të cilave dy me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë që do ta kthejnë vendin tonë në një nga vendet më të mëdha prodhuese të energjisë në rajon, janë firmosur gjatë vizitës që kryeministri italian Silvio Berluskoni ka bërë për disa orë në Tiranë.
I shoqëruar nga një delegacion i lartë në përbërje të të cilit nuk kanë munguar dhe përfaqësues të biznesit italian. Presidenti i Këshillit të Ministrave të vendit fqinj është rikthyer në Shqipëri pas vizitës së tij të parë në vitin 2002.
Në një frymë miqësie të ngushtë me kryeministrin Berisha, të cilit Berluskoni ka preferuar gjatë gjithë kohës t’i drejtohet në emër për të dëshmuar dhe në këtë mënyrë dhe afrimitetin që ekziston mes të dyve, dy liderët kanë diskutuar për rreth 60 min për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ekonomike si dhe për rritjen e numrit të investitorëve italianë në vendin tonë.
Berisha ka pranuar se me Berluskonin kanë folur për ambicien e tyre të përbashkët, ndërtimin e centralit bërthamor dh projekte të tjera të rëndësishme në fushën energjetike, sektor ku vendi ynë ka kapacitete të mëdha natyrore të pashfrytëzuara.
Sali Berisha: “Nuk e fsheh vizonin tim që Shqipëria të bëhet një superfuqi në rajon për prodhimin e energjisë, kemi më shuam se 20 miliard kw orë energjie që duhen shfrytëzuar, kemi një potencial shumë të madh të energjisë me erë që duhen shfrytëzuar. Jemi gati për të proceduar për energjinë nukleare dhe e shohim tek Italia partnerin tonë kryesorë me të cilin mund të bashkëpunojmë për të realizuar këtë projekt.”
Berluskoni nuk ka preferuar të japë detaje mbi fushat e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare, por është shprehur se duke filluar nga kjo javë do të nisin diskutimet për të formalizuar një sërë projektesh të përbashkëta mes 2 vendeve.
Silvio Berluskoni: “Me Berishën folëm për bashkëpunim në shumë pika specifike dhe dua të vlerësoj se ai edhe pse vjen nga fusha e mjekësisë, ai diskuton si një investitor i vërtetë që të premten është vendosur që me ambasadorin tuaj në Romë të nisim disa procedura të para.”
Kryeministri italian ka deklaruar se mbështetja për vendin tinë nuk do të mungojë dhe kjo mbështetje do të vijë edhe në momentin që Shqipëria do të vendosë për të aplikuar për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian.
Silvio Berluskoni: “Do të jetë një nder e kënaqësi e veçantë që të jemi të parët që do të mbështesim Shqipërinë në momentin që do të vendosë për të bërë kërkesën për të qenë pjesë e familjes evropiane. Për mua pa përfshirjen e vendeve të Ballkanit në Evropë, ky rajon nuk do të ketë stabilitet.”
Duke folur për mbështetjen që Shqipëria i ka kërkuar vendit fqinj në disa fusha përfshirë këtu dhe projektin që qeveria ka për të shtuar numrin e rrënjëve të ullinjve në të gjithë vendin.
Jo pa humor Berisha ka bërë të njohur një anë të karakterit të tij që në këndvështrimin e kryeministrit shqiptar nuk mungon dhe te homologu i tij Berluskoni.
Sali Berisha: “Të dy e duam përjetësinë, ulliri është pema që simbolizon përjetësinë ndaj dhe kërkojë ndihmën e Italisë për të shtuar numrin e tyre në të gjithë vendin.”
Berluskoni e ka mbyllur deklaratën e tij për shtyp duke i bërë një ftesë homologut të tij shqiptar një fjali ku nuk ka munguar dhe siguria se Berisha do të fitojë nën zgjedhjet e ardhshme një mandat ët dytë qeverisës.
Silvio Berluskoni: “Ju bëj ftesë publikisht që vitin e ardhshëm pasi të keni fituar zgjedhjet që Shqipëri të vini në Itali për t’u bërë pjesë e një kursi disa javor që hapet në mars pranë universitetit Demokraci dhe Liri, do të jetë me shumë interes të dëgjonim leksionin tuaj për të kuptuar se si një popull ka kaluar nga një diktaturë të plotë në një demokraci të plotë.”
Përpara se të largohej nga Shqipëria presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë ka takuar për pak minuta dhe presidentin e republikës. Bamir Topi. ndërsa ka marrë pjesë dhe në drekën që ky i fundit ka shtruar për ndër të Berluskonit. Drekë që ka vendosur në të njëjtën tryezë kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Rama i ftuar edhe ky nga presidenti për të qenë prezent./tvklan.al