BERZH dhe IFC zyrtarisht janë aksionere të INSIG-ut pasi kanë paguar 39% të aksioneve të kësaj kompanie. Aksionerët e rinj dhe qeveria duket të kenë kontradikta në lidhje me faktin nëse do të pranonë ofertën e një grupi biznesmenësh shqiptarë për të blerë 60% të aksioneve shtetërore të mbetura të kësaj kompanie. Ministri i Financave Arben Malaj deklaroi se nuk e përjashton këtë mundësi.
Arben Malaj: “Mundësitë që qeveria ofron për biznesin shqiptar me të gjitha politikat e saj janë të tilla që i krijojnë hapësira në rritje biznesit shqiptar në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Unë mendoj që biznesi shqiptar duhet ta konsiderojë veten pjesë të sfidave të ekonomisë shqiptare.”
Përfaqësuesi i BERZH-it në Shqipëri Giulio Moreno deklaroi disa javë më parë në Televizionin Klan se është kategorikisht kundër pjesëmarrjes së biznesit shqiptar në privatizim, për shkak të mungesës së eksperincës në fushën e sigurimeve. INSIG-u pritet të privatizohet plotësisht, sipas ligjit, brenda dy vjetësh nëpërmjet tenderit të hapur ndërkombëtar. /tvklan.al