Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka deklaruar se kriza financiare botërore që ka prekur vendet e Evropës Lindore, si dhe vendet baltike do të jetë nën kontroll.

Por kjo do të ndodhë në rast se bankat perëndimore do të vazhdojnë të injektojnë para në sistemin bankar në këtë rajon, pavarësisht se kjo, mund ta  vendosë monedhën e përbashkët evropiane përballë presionit, duke ndikuar në zhvlerësimin e saj.

Sipas ekonomistit të Bankës, Erik Berglof, vendet e Evropës Lindore kanë nevojë të domosdoshme për 200 miliardë dollarë, të cilat do të përdoren për shlyerjen apo riprogramim të huave afatshkurta, të cilat kompanitë, bankat apo qeveritë i kanë marrë hua nga kreditorët perëndimorë.

Krerët e bankës paralajmëruan se në rast se kjo krizë nuk do të mund të kontrollohet do të kthejë mbrapa 20 vitet e reformave ekonomike në rajon.

Sipas të dhënave rritja ekonomike mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ra në 3.2% vitin e kaluar nga 5.4% që ishte në vitin 2007. Këtë vit parashikohet të arrijë në 0.4%./tvklan.al