Lajme Arkiva 2003
Mbi 1 miliard e 300.000 banorë mysliman në të gjithë botën festojnë ditën e Kurban Bajramit. Kjo është dita simbol e vetëmohimit që ka nisur të kremtohet rreth 4000 vjet më parë. Në kultet fetare është bërë thirrje për paqe, stabilitet, bashkëjetesë dhe tolerancë. Herët në mëngjes ka nisur falja në çdo xhami. Në atë të Et’hem Beut besimtarët janë lutur dhe kanë falënderuar fuqinë e lartë duke i kërkuar ndihmë, mbrojtje, ngushëllim dhe plotësim të nevojave.
Në Kuran urdhërohet të falet namaz dhe më pas të theret kurban si kujtim i flijimit që është bërë nga i madhi Ibrahim, njëkohësisht edhe si shenjë e përkatësisë së kësaj feje.
Haxhi Hafiz Sabri Koçi! Ju uroj të gjithëve familjarisht gëzuar Kurban Bajramin! Kurban bajrami është sakrifica që ka bërë njeriu tërë kohën. Ka sakrifikuar. Ne urojmë mirëqenie, shpëtim nga varfëria!
Kjo është festa e parë pas tronditjes që pësoi Komuniteti Mysliman pas vrasjes së sekretarit të përgjithshëm Sali Tivari. Në të vërtet thyerja dhe tronditja duket e jashtme. Shumë besimtarë mendojnë se ky është momenti i bashkimit dhe i një komunikimi vëllazëror mes të gjithë myslimanëve.
Besimtar: Më shumë na ka bashkuar se sa na ka përçarë ose na ka tronditur, për arsyen se të gjithë e dimë që nuk është vrasje e brendshme, por është diçka e jashtme. Qëllimi ishte të na përçante e të na njolloste, por nuk ia arritën qëllimit, dështuan në këtë rast.
Besimtare: Na tronditin vrasjet në të gjithë botën, jo vetëm në komunitetin Mysliman por megjithatë ne jemi të bashkuar se Zoti ka thënë fal. Zoti i bekoftë të gjithë! Të kemi harmoni në të gjithë botën!
Besimtar: Ndihemi shumë të shqetësuar nga tronditja që pësoi myslimanizmi dhe kërkojmë paqe dhe jo luftë.
Besimtar: Me ndihmën e Allahut gjejmë forcë të bashkohemi e të jemi më të bashkuar. Behët zhurmë se myslimanët janë përçarë. Unë do të thoja se myslimanët janë më të bashkuar se kurrë sot, aq më tepër në Shqipëri./tvklan.al