Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar pas planit të deklaruar publikisht nga qeveria shqiptare për një “shtet sovran Bektashi” brenda territorit shqiptar, duke u shprehur kundër kësaj nisme.
Në një deklaratë zyrtare, KMSH thotë se ky është një precendent i rrezikshëm për të ardhmen, teksa thekson se Komuniteti Mysliman është përfaqësuesi i vetëm i fesë Islame në Shqipëri.
Deklarata zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:
Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave, dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:
Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.
Feja jonë ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilat janë:
1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,
2-Tradita Profetike,
3-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë.
Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate.
Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve myslimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare.
Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.
Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.
Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.
Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë Rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vjetësh.
Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.
Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilitdo tarikati, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim.
Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çëshjte dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.
/tvklan.al