Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Bajrami përsëritet ndaj dhe urimet janë të njëjta, por mëkatet nuk lahen kollaj dhe aq më pak nga ata që nuk besojnë.
Besimtarja: “Edhe mëkatet që kemi karshi komshiut, karshi njerëzve ne duhet të bashkohemi, ditën e fundit duhet t’i flasim edhe atyre njerëzve që s’flasim.”
Gazetarja: Sa shumë mëkate kemi ne dhe a mundet që t’i pastrojmë brenda një muaji?
Besimtarja: “Jo nuk pastrohen mëkatet, mëkatet pastrohen me kohë, mirë është që njeriu mos të fusë mëkate në trup, mirë është që duhet të tolerojë ndërmjet njëri-tjetrit. Shqipëria po vuan mëkatet e huaja.”
Për një ditë kur prishet agjërimi duhet ëmbëlsira, në çdo shtëpi myslimani është gatuar një e tillë sot, e ëmbël dita, të ëmbla fjalët, për ata që besojnë paqja vjen pas muajit të Ramazanit. Ky ishte muaji ku e keqja qëndronte lidhur, e besimtarët kanë pasur favoret për t’u bërë më të mirë, por dhe të mira.
Besimtarët myslimanë duruan një muaj, e këtë sipas tyre e shpërblen vetëm parajsa. Në xhaminë e Et’hem Beut, besimtarët kanë falur çdo mëkat të atyre të pafajshmëve që nuk agjëruan apo u falën në muajin e Ramazanit. Nga thëniet e “Nënë Terezës” mësojmë se duke u lutur ne bëhemi myslimanë, bëhemi katolikë, por dhe njerëz më të mirë.
Në faljen e sabahut, besimtarët myslimanë i kanë dhënë fund muajit të agjërimit dhe lutjeve pa zbardhur dita. Bajrami i madh është prova e sakrificës dhe festimi i fitores mbi të ligën./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti