Socialistët propozojnë ndryshimin e rregullores për të mënjanuar krizën që prodhoi rrëzimi i dekreteve në kuvend për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Në thelb të propozimit qëndron qartësimi i procedurës që duhet të ndjekin dekretet deri në momentin e votimit në kuvend.

Besnik Dervishi: “Dërgimi i dekretit të presidentit kalon menjëherë nga zyra e kryetarit të kuvendit në komisionin e ligjeve. Është zgjatur momenti i shqyrtimit të këtyre kandidaturave në komisionet përgjegjëse. Një ndërhyrje tjetër që bëhet në nenin 111 të rregullores ku shtohet një pikë për të bërë të detyrueshëm seancat e dëgjimit në komisionet.”

Nuk ka vonuar përgjigja e mazhorancës, e hapur për të kontribuar në këtë drejtim, punë kjo që sipas kreut të komisionit të ligjeve ka nisur prej kohësh.

Fatos Beja: “Parlamenti ka rregulloren e vet, por rregullorja e parlamentit nuk është detyrim për presidentin, kështu që disa afate mendoj unë është e nevojshme të rregullohen tek ligji”.

Beja foli dhe për pesë kandidatët e propozuar nga presidenti që u rrëzuan me votat e mazhorancës, një deklarim shoqëruar dhe me një koment mbi intervistën e ambasadorit amerikan, Withers. Ky i fundit e konsideroi si të padenjë votimin në kuvend.

Fatos Beja: “Shqetësimi i shprehur është një shqetësim që unë e vlerësoj. Edhe unë kam qenë shumë i shqetësuar që një kandidaturë, e cila ka qenë një herë, ka qenë një herë anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kushtetuta thotë s’mund të jesh për herë të dytë. Le të marrë 65 vota në kuvend. Absolutisht unë jam dakord me çdo koment që këtu ka diçka që nuk vete.”

Kuvendi votoi të hënën në datë 16 Qershor pesë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Një proces që krijoi përplasje institucionale mes kuvendit dhe presidentit të republikës e që rezultoi në rrëzimin e dekreteve.

Tashmë opozita dhe mazhoranca ndodhen në një tjetër fazë në përpjekje për t’i dhënë fund ripërsëritjes së krizave të tilla nëpërmjet ndryshimit të rregullores së kuvendit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi