Gjatë vizitës në Krujë ku u nënshkrua marrëveshja e përbashkët me Ministrinë e Kulturës Besnik Dervishi u prononcua për grevën e nisur nga disa pronarë lokalesh në Golem. Sipas ministrit Dervishi aksioni i nisur me vendim të Këshillit të Rregullim Territorit të Republikës për prishjen e objekteve pa leje ose që pengojnë infrastrukturën nuk do të ndalen.
Besnik Dervishi: Është një proces që nuk do të ndalet, por që ka nisur që nga Velipoja dhe shtrihet deri në zonën e Butrintit, janë disa ndërhyrje të policisë ndërtimorë për vendosjen e legjitimitetit në këto zona , kryesisht për pastrimin e këtyre zonave nga ndërtime të paligjshme dhe janë bërë disa ndërhyrje si në Velipojë, në Gjirin e Lalëzit, në Durrës, në Vlorë dhe në Sarandë. Natyrisht është parashikuar të bëhet ndërhyrje në Golem dhe ajo do të realizohet. Mua më vjen keq që kërkon të spekulohet, mbase edhe për qëllime politike pasi aty nuk do të prishen godina të qytetarëve të një qyteti, siç pretendohet se është Kavaja, por aty do të shemben disa objekte të cilat janë në brezin e rërës ose që pengojnë infrastrukturën që është një rrjedhim logjik dhe i detyrueshëm për veprim pasi vepron nga vendimi i KRTSH-së të tetorit të vitit të kaluar./tvklan.al