“Kushton vetëm 39 mijë lekë”.
Të gjithë qytetarët të cilët bezdisen nga promocione të tilla në telefon të kompanive të ndryshme, tashmë mund t’i frenojnë ato përmes regjistrit të thirrjeve të padëshiruara, pr/ligji i të cilit është hedhur për konsultim publik.
Ky marketing i cili kryhet përmes mesazheve, telefonatave dhe e-maileve nga kompanitë në vend, kundrejt qytetarëve, është kthyer në një shqetësim për këta të fundit.
Madje edhe për keqpërdorim të të dhënave personale. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi në një intervistë për Tv Klan thotë se përmes këtij pr/ligji qytetarit i lind e drejta të regjistrohet në një regjistër i cili bllokon marrjen e telefonava të tilla.
Besnik Dervishi: Me hyrjen në fuqi të ligjit nga Zyra e Komisonerit do të ngrihet një databazë, ku çdo qytetar do të regjistrojë emrin e tij pa pagesë, që nuk dëshiron të marrë këto komunikime të pakërkuara. Çdo subjekt tregtar përpara një fushate promocionale do e konsultojë këtë listë dhe nuk do kryejë komunikim tregtar ndaj atyre personave që janë regjistruar. Vendosen orare të caktuara, ditë të caktuara, nuk lejohen të Shtunën dhe të Dielën, apo në festa zyrtare. Orari për këto thirrje është nga ora 09:00 deri në 19:00.
Modeli i ndjekur nga Franca dhe Italia, mbron më shumë qytetarin.
Besnik Dervishi: Ne trajtojmë mbi 1 mijë ankesa në vit që lidhen me kushtet e së drejtës së informimit. Rreth 450 ankesa që lidhet me mbrojtjen e të dhënave personale.
Dervishi thotë se të gjitha subjektet të cilat do të marrin në telefon qytetarët që kanë regjistruar emrin në regjistër, do të përballen me gjoba.
Besnik Dervishi: Shkelja që mund të bëhet pa u konsultuar me këtë regjistër, apo nëse i përdor kundër qytetarëve, ligji parashikon sanksione nga 50 mijë lekë deri në 1 mln lekë.
Për këtë arsye çdo ofrues shërbimi, përpara se të përdorë të dhënat e marra nga regjistrat publik për promocione të ndryshme detyrohet të konsultohet me regjistrin e komunikimeve tregtare të pakërkuara.
Tv Klan