Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Besnik Mustafaji, kandidati i PD për bashkinë e Tiranës, ka takuar sot banorë të njësive 8 dhe 9. Për të fituar besimin tuaj, tha Mustafaji, na ka shërbyer edhe fushata e kundërshtarëve tanë politikë, për të cilën mund të thuhet se ka marrë parasysh gjithçka, por jo problemet e Tiranës.
Besnik Mustafaj:- “Qytetarët e Tiranës, nuk mashtrohen nga ahengu. Ata duan përgjigje konkrete për Tiranën. Mua më vjen keq që kjo fushatë nuk po përqendrohet nga ana e tyre edhe tek perspektiva e kryeqytetit tonë, sepse kështu edhe debati do t’i shërbente të ardhmes së këtij kryeqyteti”.
Në këtë takim është bërë edhe prezantimi i kandidatit demokrat për minibashkinë 8 Perikli Dhale dhe minibashkinë 9 Tefta Shahini.
Po sot pasdite Mustafaji, ka takuar edhe komunitetin romë në Tiranë. Ju tha ai, keni një rol të madh për t’i dhënë Tiranës rëndësinë që ajo ka si shembull për të gjithë shqiptarët.
Besnik Mustafaj:- “Duke pasur parasysh edhe punët që ju kryeni për të mbajtur gjallë familjet tuaja, ne do të zgjidhim shumë shpejt edhe problemin që keni ju me tregun e rrobave të përdorura, duke gjetur një vend të përshtatshëm, ku policët të mos kenë më rast t’ju vijnë e t’ju pengojnë të kryeni punët tuaja të ndershme”.
Mustafaji u ka premtuar romëve se do t’u japë mundësinë të krijojnë ndërmarrje private për pastrimin e Tiranës./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego