Beyoncé do të performojë në ndeshjen e NFL për Krishtlindje.
Këngëtarja do të ngjitet në skenë gjatë pushimit të ndeshjes mes Houston Texans dhe Baltimore Ravens.
Ndeshja tjetër e programuar për atë ditë është Kansas City Chiefs kundër Pitssburgh Steelers. Të dyja ndeshje do të transmetohen në Netflix.
Kjo do të jetë hera e parë që Beyoncé do të performojë këngë nga albumi i fundit, “Cowboy Carter” të cilin e njoftoi gjatë Super Bowl që u mbajt në muajin shkurt.
Lajmin për performancën në NFL Beyoncé e ndau përmes një videoje shumë të veçantë ku qëndron mbi një makinë klasike amerikane të mbuluar nga trëndafila të kuq dhe e veshur me kapelen tipike ‘cowboy’. Më pas, ajo pret një top futbolli në duar.
Netflix gjithashtu ka lajmëruar se këngëtarja “do të shoqërohet nga disa të ftuar specialë” të albumit. Albumi i përket zhanrit country dhe në të ka duete me Miley Cyrus e Post Malone. Deri më tani dihet që është pjesë e një trilogjie që ka nisur me “Renaissance”.
Albumi është nominuar si “Albumi i vitit” në Grammy Awards 2025, por këngëtarja është nominuar edhe për 10 trofe të tjera përfshirë albumin më të mirë country dhe këngën e vitit për Texas Hold ‘Em.
Kjo nuk është hera e parë që Beyoncé do të realizojë një performancë kaq të rëndësishme pasi më parë ka kënduar në Super Bowl 2013, ndërsa në vitin 2016 performoi krah Coldplay dhe Bruno Mars e cila është edhe më e shikuara ndonjëherë./tvklan.al