Joe Biden i është drejtuar qytetarëve amerikanë nga Shtëpia e Bardhë në fjalimin e tij të parë që nga fitorja e Presidencialeve 2024 nga Donald Trump.

Biden e filloi fjalën e tij duke thënë se për më shumë se 200 vjet, SHBA ka kryer eksperimentin më të madh të vetëqeverisjes në historinë e botës, ku njerëzit votojnë dhe zgjedhin liderët e tyre dhe e bëjnë atë në mënyrë paqësore, aty ku vullneti i njerëzve mbizotëron gjithmonë.

Ai ka theksuar se ka folur me Presidentin e sapozgjedhur, Donald Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe për të bashkëpunuar për një kalim paqësor të detyrës.

“Unë do të bëj detyrën time si President. Ne e pranojmë zgjedhjen që bën vendi. Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton. Nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur bie dakord”, shprehet ai.

Biden iu dërgon puthje anëtarëve të stafit në Shtëpinë e Bardhë
Biden iu dërgon puthje anëtarëve të stafit në Shtëpinë e Bardhë

Gjatë fjalës së tij, Biden ka thënë se ka folur me Kamala Harris dhe ka komplimentuar fushatën e saj, të cilën e quan “frymëzuese” dhe shprehet se ajo duhet të jetë krenare për punën e saj.

Joe Biden ka thënë se Presidenca nën drejtimin e tij ka qenë historike teksa ka shtuar se do të punojnë deri në ditën e fundit të përfundimit të mandatit.

“Ka qenë një Presidencë historike. Tani kemi 74 ditë për të mbaruar mandatin, të punojmë çdo ditë, kjo është përgjegjësia jonë.”

Ai ka pranuar humbjen teksa ka thënë: Ne e humbëm këtë betejë, Amerika e ëndrrave tuaja ju bën thirrje që të ngriheni përsëri.


/tvklan.al