Vetëm pak orë pas akuzave të ndërsjella, Donald Trump dhe Kamala Harris shtrënguan sërish duart me njëri tjetrin në ceremoninë e përkujtimit rreth 3 mijë viktimave të sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Në ceremoninë e zhvilluar në vendin ku 23 vjet më parë ngriheshin kullat binjake të Nju Jorkut ishte edhe Presidenti amerikan Xho Bajden. Pas himnit amerikan, u lexuan emrat të gjithë viktimave që humbën jetën.
Një minutë heshtje u mbajt në orën ekzakte kur secili nga 2 nga avionët e rrëmbyer nga terroristë të Al Kaedës goditën kullat e Nju Jorkut, një i tretë Pentagonin dhe i katërti që u rrëzua në Pensilvani pas një revolte në bord.
Në një deklaratë të bërë për mediat, Bajden u shpreh se terroristët besuan se mund t’i gjunjëzojnë, por e kishin gabim. Pas sulmeve të 11 Shtatorit, Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin, një luftë që zgjati 2 dekada. Ideatori i këtyre sulmeve Osama Bin Laden u vra në një operacion të forcave amerikane në Pakistan në Maj të 2011-ës.
Tv Klan