Pëson një rënie të ndjeshme çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare, duke kapur nivelet më të ulëta të 9 muajve të fundit. Kështu, në bursën e Teksasit një fuçi naftë e papërpunuar per kontratat e Tetorit u shit të mërkurën për gati 71 Dollarë, gati 7 Dollarë më pak se një javë më parë ose 10 Dollarë më pak se në fillim të Gushtit.
Të njëjtin trend ka ndjekur edhe nafta brent në bursën e Lodrës, ku një fuçi naftë u shit për 74.3 Dollarë, nga afro 81 Dollarë që u shit një javë më parë. Çmimet ranë nga spekulimet që filluan në fund të javës së kaluar se OPEC do të fillonte të shtonte prodhimin me 180,000 fuçi në ditë në Tetor, ashtu siç ishte planifikuar më parë.
Por rënia e fortë e çmimeve duket se ka bërë që vendet anëtare të OPEC të ridiskutojnë edhe një herë vendimin për rritjen e ofertës për naftë, çka pritet të frenojë një rënie të mëtejshme të çmimeve.
Mediat ndërkombëtare argumentojnë se shqetësimet për kërkesën për naftë në Kinë, frika e ngadalësimit të ekonomive të SHBA-së dhe Evropës, dhe shpresat për një rifillim të prodhimit të Libisë, shtuan gjithashtu ndjesinë e rënies së çmimit të arit të zi në në treg ditët e fundit.
Tv Klan