Tregjet botërore të arit të zi e nisën javën me një thyerje të kurbës së çmimeve, duke shënuar një nga rëniet më të mëdha të ndodhura në javët e fundit.

Kështu, në bursën e Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nafta e papërpunuar për kontratat e Dhjetorit këtë të hënë u shit me 67 Dollarë për fuçi, ose afro 4.5 Dollarë më pak se çmimi me të cilin u mbyll bursa ditën e premte.

Kjo shënon një rënie me afro 6.2 për qind. Në të njëjtat pozita u hap sot edhe bursa e Londrës, ku çmimi i naftës së papërpunuar brent u shit me 71.5 Dollarë për fuçi, duke pësuar një rënie me 4.5 Dollarë ose afro 6 për qind.

Sipas ekspertëve, sjellja e bursave të arrit të zi është e ndikuar në pjesën më të madhe të tyre nga situata në lindjen e mesme.

Më konkretisht sipas tyre kjo rënie e çmimit ka ardhur për shkak se sulmi hakmarrës i Izraelit kundër Iranit nuk arriti të shkaktonte mjaftueshëm dëme të konsiderueshme, duke reduktuar kështu rrezikun e një shpërthimi tjetër të dhunës më të gjerë në rajon dhe duke ngjallur shpresat për de-përshkallëzim të situatës.

Gjithashtu ekspertët vlerësojnë se oferta e tepërt dhe kërkesa së dobët për naftë po kontribuon rënien e çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Tv Klan