Humbja e babait para dy vitesh nga një sëmundje e rëndë hapi një plagë të thellë e të dhimbshme tek Big Mama, e cila jo pak herë e ka rrëfyer lidhjen e fortë me të. Gjatë emisionit “Rudina” në Tv Klan ku ajo ishte e ftuar, pasi komentoi videon e saj të famshme në rrjetet sociale ku shfaqet duke kërcyer mjeshtërisht e na zbulon se dikur ka qenë valltare, Big Mama tregon se ka qenë i ati, Adi Kasami ai që e shtynte më shumë.

Dhimbja vazhdon të jetë e freskët e këngëtarja s’mundet ta mbajë ngashërimën që në momentin e parë të përmendjes së tij. Triumfin e saj në “Best of Rumeli 2021” ku u përzgjodh si artistja më e mirë shqiptare, ajo ia dedikon personit më të shtrenjtë të saj.

Rudina Magjistari: Ti përmende edhe babain tënd, të cilin gjithashtu e kishe përmendur te postimi i kësaj valleje, thua “kujtimi aty ku u rrita dhe hodha hapat e parë të vallëzimit, mbi të gjitha kujtimi më i bukur i babait tim ku dha shumë kontribut dhe më mësoi të dua kulturën tradicionale”. Duket sikur në njëfarë mënyre ke kujtuar atë nëpërmjet kërcimit, ai ka ndikuar shumë në jetën tënde, ti na ke rrëfyer në fakt për momentin e dhimbshëm dhe të vështirë të ndarjes së tij nga jeta. Kanë kaluar gati dy vite, të ka marrë malli për të?

Big Mama: Shumë. Mos më prekni këtu se jam në pikë të dobët, më vjen shumë keq, e kam shumë inat të dal para ekranit të qaj, por kur është në pyetje babi im, s’mund t’i ndaloj lotët… madje kohëve të fundit më ka marrë malli shumë. Madje edhe çmimin që mora në Turqi ia dedikova babait tim. Babai ka qenë shumë njeri artdashës, i cili ka dhënë shumë kontribut, ka qenë mbështetja më e madhe e imja dhe me të vërtetë atë natë kujtova edhe babin tim sepse ai gjithmonë ka dashur që unë të jem valltare. Kur fillova të këndoj, ai gjithmonë thoshte “hajde kërce, vallen mos e lër”, e ka pasur gjithmonë në shpirt dhe në atë dasmë kujtova edhe babanë tim.

Rudina Magjistari: Ai është patjetër në kujtimet e tua vazhdimisht, por a ruan një moment komunikimi me të në heshtje ose shkon e viziton shpesh në vendin ku ai prehet, si e ke gjetur mënyrën tashmë, si është transformuar marrëdhënia jote me të?

Big Mama: Nuk e di, Rudina, është shumë e vështirë, unë ende nuk mund ta pranoj se ai nuk është. Kur e shoh në fotografi ose në intervista përmendet ai, kujtimet e tij më ringjallen, unë atëherë e kuptoj se ai nuk është në mesin tonë. Unë ende nuk e pranoj, por normalisht, çdo ditë, çdo hap që bëj në jetën time më ka lënë kujtime. Ai për mua ka qenë mbështetja më e madhe, jo vetëm baba, ka qenë shok dhe uroj që çdo fëmijë ta ketë marrëdhënien me babain siç e kam pasur unë./tvklan.al