Kjo video është filmuar vetëm pak momente pas atentatit me 3 viktima dhe 1 të plagosur në Shkodër disa minuta përpara se të mbërrinte policia.

Në të duken trupat e dy viktimave që u qëlluan me breshëri kallashnikovi, Arlind Bushatit i pari dhe Hamza Lici i dyti. Që të dy janë jashtë makinës me të cilën lëviznin dhe në distancë nga njëri – tjetri.

Është ende e paqartë nëse ata kanë dalë vetë nga mjeti apo i ka nxjerrë përplasja e fortë e makinës që po qëllohej me breshëri kallashnikovi.

Në video gjithashtu duket edhe çifti i bashkëshortëve, Flutura Basha që humbi jetën në spital dhe bashkëshorti të saj Bashkim Basha që ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Nga hetimet e deritanishme dhe nga administrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në vendngjarje hetuesit besojnë se në atentat janë përfshirë 3 persona, njëri në rolin e drejtuesit të makinës Range Rover dhe dy në rolin e qitësit.

Grupi hetimor në Policinë e Shkodrës është rikthyer në vendin e ngjarjes, aty ku ndodhi masakra me 3 të vrarë dhe 2 të plagosur. Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë autor të identifikuar.

Nisur nga rindërtimi i skenës së krimit dhe sekuestrimi i gëzhojave në rrugë, grupi hetimor dyshon se fillimisht autorët e kanë qëlluar nga pas makinën tip Benz me targa te Kroacisë, me të cilën udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati dhe po ashtu duke ecur paralelisht me të.

Në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave makina e drejtuar nga Lici devijoi nga rruga dhe përplasi një çift bashkëshortësh që po lëviznin me një motorçikletë.

Gjatë këqyrjes së makinës tip Benz me të cilën po lëviznin Lici e Bushati policia gjeti tre pistoleta dhe disa gëzhoja, çka sipas hetuesve është tregues qe ata kane shkembyer zjarr me atentatorët.

Grupi hetimor dyshon se në makinën e viktimave mund të ketë qenë edhe një person i tretë.

Disa orë pas ngjarjes, policia gjeti në fshatin Golem në Shkodër makinën Range Rover të përdorur nga vrasësit, të djegur plotësisht. Brenda saj ishin 2 armë zjarri automatike, që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.

Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili tha se shumë shpejt do të ketë rezultat konkret.

“Dje të gjitha forcat e Policisë së Shtetit kanë shkuar në Shkodër për të bërë të mundur arrestimin e autorëve. Ata janë atje për të bërë detyrën e tyre. Shumë shpejt do të kemi një rezultat konkret në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje”.

Policia ka marrë në pyetje të paktën 10 persona, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Por pasi kanë dhënë deklarimet e tyre ata janë lënë sërish të lirë.

Tv Klan