Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Susan Cullen, bashkëshortja e pretendentit të fronit mbretëror shqiptar ka lindur në Australi në 28 Janar të vitit 1941. Vitet e fëmijërisë ajo i kaloi në New South Wales, e ndërsa më pas vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve në Sidnei, ku u diplomua në degën e Arkitekturës.
Në vitet e rinisë, Susan Cullen punoi si pedagoge në Akademinë Kombëtare për Arkitekturë dhe njëkohësisht si drejtore e fasadave në Sidnei. Takime me pretendentin e fronit mbretëror Leka Zogu do ta çonte deri në martesë të renë nga Australia. Kështu në 7 Tetor të vitit 1975, Leka dhe Susan u lidhën në martesë në një ceremoni që u zhvillua në qytetin turistik të Biarizit, në kufirin franko-spanjoll. Në ceremoninë e dytë dhe zyrtare tre ditë më pas në Madrid ishin të pranishëm 8 mijë të ftuar.
Nënë e princit Leka, Susan i qëndroi për 29 vjet në krah bashkëshortit të saj në mërgim. Në 28 Qershor të vitit 2002, familja mbretërore shqiptare u transferua nga Afrika në Shqipëri, gjatë dy viteve të fundit, Susan Cullen jetonte në Shqipëri, ku edhe u nda nga jeta./tvklan.al
Gazetare: Danjela Kostandini