Projektligji për gjykatën administrative është rikthyer në çështje diskutimi mes grupimeve të biznesit vendas të cilat po lobojnë për kalimin sa më të shpejtë në rendin e ditës së parlamentit të ri. Drejtuesit e 28 shoqatave të biznesit mes të cilëve dhe ata të dhomës amerikane të tregtisë dhe të dhomës britanike janë mbledhur në je tavolinë të përbashkët dhe kanë rënë dakort të fillojnë këtë muaj një fushatë intensive në përkrahje të këtij projekt-ligji.

Sipas biznesit krijimi i një sistemi modern të gjykatave do të mundësojë zgjidhjen në mënyrë efektive dhe të drejtë te mosmarrëveshjeve administrative. Në këtë takim, merrte pjese edhe Drejtorja e Misionit të USAID në Shqipëri, Roberta Mahoney.

Roberta Mahoney: “Tani varet kryesisht nga ju, që t’i bëni vendim-marrësit t’i vënë në jetë planet për krijimin e Gjykatës Administrative si një institucion, nga i cili do të përfitojnë komuniteti i biznesit, institucionet publike dhe të gjithë qytetarët”.

Me miratimin e ligjit USAID siguron se do të punojë me qeverinë për ngritjen e gjykatës administrative. Pranverën e këtij viti shoqatat e biznesit u bashkuan dhe i kërkuan Parlamentit ta kalonte këtë ligj para zgjedhjeve të 29 qershorit, gjë e cila nuk ndodhi. Tashme një grupim akoma më i gjerë i shoqatave të biznesit synon që ta ngrenë zërin më fort para Parlamentit ne mënyrë që ligjbërësit ta miratojnë këtë vjeshtë ligjin për gjykatën administrative./tvklan.al

Gazetari Fjorald Zguro