Reformat e cilësuara nga faktori ndërkombëtar si kusht në proceset integruese të Shqipërisë vijojnë të mbeten të bllokuara për shkak të bojkotit të opozitës.

Ligje të rëndësishme si heqja e imunitetit të deputetëve, ai për ngritjen e gjykatës administrative, ndonëse këto të mbështetura edhe nga opozita, nuk mund të kalojnë pa votat e socialistëve.

Mungesa e 84 numrave në Kuvend la që në legjislaturën e kaluar pa miratuar një nga draftet e cilësuar si pjesë shumë e rëndësishme e reformës në drejtësi, projektligjin për gjykatën administrative, çka ka bërë që të mbeten pezull shumë çështje gjyqësore mes shtetit dhe biznesit.

Drafti që synon të zgjidhë problemet e biznesit me administratën tatimore, mori njëkohësisht dhe vlerësimin e ekspertëve të USAID-it, Euralius, SIGMA-s apo dhe biznesit vendas, por jo votat e deputetëve socialist.

Edhe projektligji për administratën gjyqësore, pjesë e së njëjtës paketë reformash gëzon të njëjtin fat, prej më se një viti.

Ashtu si dy të parët edhe drafti për kufizimin e imunitetit mbeti një tjetër nismë që nuk arriti të shohë dritën jeshile, ndonëse asokohe opozita kërkoi me forcë miratimin e tij në parlament.

Mungesa e 94 votave, që kërkon kalimi i tij në pasi duhet të prekë kushtetutën, bëri që edhe ky draft të ngelet në sirtarët e Kuvendit.

Listës së projektligjeve që nuk arritën të siguronin numrat e opozitës legjislaturën e kaluar i janë shtuar edhe disa të tjerë.

Drafti për funksionimin e konferencës gjyqësore dhe ai për ndërtimin dhe funksionimin e këshillit të lartë të drejtësisë mbeten pezull, duke krijuar një tjetër handikap, zgjidhja e të cilit mund të vijë vetëm nga zbërthimi i ekuacionit të 84 votave në parlament./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro