Gati një në çdo pesë biznese të mëdha ende nuk ka respektuar afatin ligjor për pajisjen me kasën fiskale, 31 dhjetorin e vitit 2009. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, momentalisht vetëm 8571 biznese në të gjithë vendin, nga më se 11 mijë të tilla, kanë instaluar kasat regjistruese për efekt fiskal, të cilat duhet të përcjellin elektronikisht informacion mbi xhiron mujore të realizuar.
Renald Rista: “Momentalisht jemi rreth 80% të gjithë subjekteve të pajisur me kasa. Një pjesë e tyre janë penalizuar, atë që se kanë futur akoma.”
Mos vendosja e kasave do të thotë fshehje e detyrimeve tatimore nga ana e bizneseve.
Renald Rista: “Kasa fiskale transmeton elektronikisht çdo muaj, të gjithë evidencat e muajit. Në këtë mënyrë ne kemi një kontroll të plotë mbi kasat fiskale që kanë transmetuar dhe kasat fiskale që janë regjistruar. Në këtë formë shmanget evazioni, shmanget mos deklarimi i saktë, shmangin edhe kontaktet e drejtpërdrejta të tatimorëve me subjektet private.”
Pas biznesit të madh edhe biznesi i vogël do ti duhet të pajiset me kasat fiskale, dhe për këtë ka si afat qershorin e këtij viti./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro