Anduena Llabani: “Damir Fazlliç rikthehet për herë të dytë në Tiranë. Kësaj radhe vizita e tij me vullnetin e tij të lirë ai është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës rreth pasdites dhe për orë të tëra ai ka dhënë shpjegime përpara prokurorëve të çështjes, të cilët kanë nisur një hetim penal prej kohësh ndaj tij, nisur nga disa shkrime në gazeta për akuzën e pastrimit të parave. Megjithatë vizita e Damir Fazlliç dhe paraqitja e tij në prokurori është mbajtur sekret qoftë nga avokatët, qoftë nga prokurorët.”
Për më shumë se dy orë, nga ora 16:00 deri në orën 18:30 të së hënës, Damir Fazlliç, i hetuar nga prokuroria shqiptare ka qëndruar brenda Prokurorisë së Tiranës ku ka dhënë deklarimet e nevojshme.
Pas seancës së pyetjeve Fazlliç ka dalë nga godina pothuajse i qetë, madje i qeshur, i gatshëm për të dhënë dhe një deklaratë për mediat pa iu drejtuar asnjë pyetje.
Damir Fazlliç: “E kam thënë që në fillim. Do të respektoj çdo institucion të Republikës së Shqipërisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, e cila më ka kërkuar nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të vijë dhe të japë një intervistë. E kam dhënë dhe tashmë faleminderit shumë. S’kam asnjë koment për të bërë.”
Dy avokatët ligjorë, Genc Gjokutaj, dhe Brahim Lahi, të cilët e kanë shoqëruar Fazlliç gjatë gjithë seancës së pyetjeve, thanë se klientit të tij nga ana e prokurorëve nuk i është komunikuar asnjë akuzë konkrete.
Ata thanë se kjo është hera e parë dhe e fundit që Damir Fazlliç dëshmon në prokurori për këtë çështje dhe pse për prokurorët shkak për rithirrje do të përbënte vetëm në rast të mbledhjes së provave të reja.
Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi nisjen kryesisht të hetimit për biznesmenin Damir Fazlliç duke u nisur nga disa shkrime gazetash që flisnin për pastrim parash nga ana e Damir Fazlliç në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani