Ylli hollivudian Blake Lively ka ngritur padi ndaj aktorit Justin Baldoni për ngacmim seksual gjatë xhirimeve. Të dy janë protagonistët kryesorë në projektin e suksesshëm kinematografik “It Ends With Us” që grumbulloi në arkat 350 milionë dollarë. Sipas Lively, gjërat u përkeqësuan aq shumë gjatë prodhimit të filmit, i cili u shfaq në gusht të këtij viti, sa u mbajt një takim për të adresuar akuzat e saj për një mjedis pune armiqësor, ku mori pjesë edhe bashkëshorti i aktores, Ryan Reynolds.
Lively dhe Reynolds kërkuan që “nuk do të kishte më shfaqje të videove nudo ose imazhe të grave si dhe të mos përmendej më varësia e mëparshme ndaj pornografisë e aktorit Baldoni dhe të mos kishte më diskutime rreth eksperiencave seksuale të tij përpara Lively. Ata gjithashtu kërkuan më tej, që Baldoni “nuk duhet të bëjë komente për peshën e Lively” dhe “të mos përmendte babain e saj të vdekur”.
Lively pretendon se kërkesat u përqafuan dhe u miratuan nga studioja, por Baldoni dhe kompania e prodhimit, Wayfarer Studios, më vonë u angazhuan në një fushatë manipulimi social për të shkatërruar reputacionin e saj. Avokati i Baldoni-t tha se akuzat janë të rreme dhe të turpshme. Sipas dokumenteve ligjore, Lively pretendon se ishte Baldoni ai që i bëri gjërat të padurueshme gjatë xhirimeve. Raportet për sjelljen e Baldoni u shfaqën në fillim të këtij viti kur Daily Mail botoi një artikull duke pretenduar se ai nuk respektonte kufijtë e tij në xhirimet e “It Ends With Us”.
Klan News