Ekipi ligjor i Justin Baldoni ka publikuar video nga  xhirimet e “It Ends With Us” për të kundërshtuar akuzat e Blake Lively për ngacmim seksual.

Videoja 10-minutëshe është shpërndarë nga këshilltari ligjor i aktorit, Bryan Freedman dhe nis me një deklaratë që thotë se Lively tha në padinë e saj se ai “po sillej në mënyrë të papërshtatshme” gjatë një skene vallëzimi.

Ekipi i Baldoni thotë se videoja e filmuar në maj 2023 rrëzon përshkrimin e Lively për sjelljen e tij.

“Skena në fjalë ishte krijuar për të treguar dy personazhet që bien në dashuri dhe dëshirojnë të jenë pranë njëri-tjetrit. Dy aktorët duken qartazi që po sillen siç duhen brenda kuadrit të skenës dhe me respekt e profesionalizëm të ndërsjellë. Këtu janë tri dubla të filmuara në një sekuencë”.

Dy aktorët duken teksa shkëmbejnë biseda të shkurtra dhe përmendin bashkëshortet përkatës, Ryan Reynolds dhe Emily Baldoni. Në një moment, Blake i thotë kolegut të saj se mendonte që është “më romantike” nëse flasin duke kërcyer.

Kur ata përqafohen dhe afrojnë kokat, Lively lëshon një batutë dhe thotë se ndihet “sikur po fut hundët” duke nënkuptuar prekjen e hundëve të tyre, ndërsa Justin ia kthen: “E di. Dhe hunda ime është kaq e madhe”. Blake vijon: “Po. Po shpresoja që mund të flisnim për këtë. Nuk është shumë vonë”.

Në një tjetër moment, Justin tha se me gjasë “mjekra e tij po e ngacmonte”, kurse ajo ia ktheu se  ndoshta po e bënte me sprajin nxirës. “Vjen erë të mirë”, përgjigjet Justin.

Por nuk mbaron me kaq.

Ekipi i aktorit thotë se mund të prezantojë një faqe interneti që “të shtypë direkt” akuzat e Blake. ”Justin dhe ekipi kanë të drejtën që të vetëmbrohen me të vërtetën”, tha avokati i  tij. “Kjo është ajo që do të vazhdojnë të tregojmë me faqen e ardhshme të internetit që përmban gjithë korrespondencën si dhe videot e lidhura”.

Ndërkohë ekipi i Blake i është kundërpërgjigjur aktorit 40-vjeçar.

“Justin Baldoni dhe avokati i tij mund të shpresojnë se veprimi i tyre i fundit do të jetë hap para ndaj provave të dëmshme kundër tij, por vetë videoja është e tmerrshme”, thanë avokatët e saj duke deklaruar se “konfirmon” deklaratat e Lively.

Videoja tregon z. Baldoni që afrohet vazhdimisht drejt znj. Lively duke u përpjekur ta puthë, ta puthë në ballë, fërkon fytyrën dhe buzët pas qafës së saj, ia ngacmon buzën me gisht, e përkëdhel, i thotë sa erë të mirë mban dhe flet me të jashtë personazhit”. Deklarata thekson se 37-vjeçarja “largohet dhe i përsërit vazhdimisht” që ata “të flasin”.

“Çdo grua që është prekur në mënyrë të papërshtatshme në ambientin e punës mund ta dallojë sikletin e znj. Lively. Ata do t’i shohin përpjekjet e saj për ta përballuar me humor që të shmangë prekjet e padëshiruara”.

Avokatët e Blake Lively e kanë akuzuar 40-vjeçarin për tentativë “manipulimi ndaj publikut” duke e publikuar videon në media dhe jo si provë në gjykatë./tvklan.al