Beteja ligjore me Blake Lively dhe Ryan Reynolds ka nisur të shfaqë efektet e saj te Justin Baldoni, regjisori dhe protagonisti i “It Ends With Us”.

Gjatë një konference, avokati i tij, Bryan Freedman deklaroi se aktori ka përjetuar vështirësi gjatë këtij  procesi.

Freedman i tha gjykatësit Lewis J. Liman se klientët e tij, Baldoni dhe dy bashkëthemeluesit e Wayfarer Studios, “janë të shkatërruar emocionalisht dhe financiarisht”.

“S’dua të ngjaj si një 4-vjeçar që zihet me një 4-vjeçar tjetër duke thënë ‘ata e nisën’, por në këto raste, pasi dikush thotë diçka kthehet në një fakt”, tha avokati duke iu referuar akuzave të Blake për ngacmim seksual. “S’ka mënyrë për ta luftuar”.

Nga ana tjetër, avokati i aktores, Michael Gottlieb tha se “fushata e hakmarrjes” së Baldoni ka rezultuar “shkatërrimtare” për të.

Gjykatësi ka paralajmëruar të dyja ekipet ligjore që të përmbahen nga deklaratat e shtypit të cilat mund të ndikojnë jurinë kur të mbahet gjyqi në mars 2026.

Në një letër të drejtuar gjykatësit, Freedman shkruante se ortakët e Wayfarer Studios “janë përzënë nga shoqëria  dhe janë cenuar nga dëme që arrijnë qindra miliona dollarë” pas padisë së 37-vjeçares.

Të mërkurën e shkuar, burime pranë Justin Baldoni thanë se ai ka humbur tre vende  pune deri më tani dhe miliona dollarë, përfshirë edhe përshtatjen filmike  të “Pac-Man” për të cilin kishte nisur punën që prej vitit 2022.

Megjithatë, filmi i tij për skandalin e videolojës “Bandai Namco” mund të realizohet “në një moment të dytë”, kur “të qetësohet situata” e skandalit./tvklan.al