Gazetarja: Zoti Fevziu, si u bë e mundur ardhja e biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, në emisionin Opinion?

Blendi Fevziu: “Ai është kontaktuar nga Desada Metaj, kryeredaktore e emisionit, e cila kishte një pikë kontakti. Ishte mjaft i predispozuar për të folur, gjë që unë e vura re dhe nga intervista e mëparshme që ai dha për televizionin Top Channel, që tregonte që donte të fliste. E ftuam me idenë që të fliste në Tiranë, ose ishim të predispozuar të shkonim atje ku ai mund të ishte. Pika e parë e takimit ishte Londra, por për arsye se pajisja me vizë angleze kërkonte 2-3 ditë procedura, pra ishte më e vështirë dhe nuk kapej një nga ditët e mundshme të emisionit. U mendua që mund të shkojë në Sarajevë, ndërkohë ai njoftoi që do të fluturonte nga Londra për në Sarajevë për të marrë pjesë në samitin e Crans Montanës, në forumin e Crans Montanës në Sarajevë dhe tha meqë jam në rrugën për në Sarajevë po ndaloi në studion që mos kishim komplikime, po ndaloi në Tiranë tre orë për të dhënë intervistën kështu që ka mbërritur rreth orës 11:00, diçka më herët sesa e prisnim. Ndërkohë që unë isha në një takim me një deputet në Rogner, ka shkuar ka pirë një kafe në Sheraton rreth një orë. Ka ardhur në studion e TV Klan, ka mbaruar intervistën dhe është nisur sërish. Limiti i fundit që ai kishte ishte ora tre sepse në orën katër e gjysmë duhet të ishte në panelin e Crans Montanës. Ishte shumë më e thjesht sesa e mendoja në fillim, dmth, momenti i parë ishte shumë më i komplikuar, por ishte më e thjeshtë.”

Gazetarja: A mund të themi që ardhja e tij në Shqipëri u mbajt sekrete?

Blendi Fevziu: “Po varet ç’kuptim ka sekrete, sekret. Nuk është se kishte ndonjë njoftim në shtyp që Fazlliç do vijë në Tiranë. Ishte një takim që ishte fokusuar, që ishte e fiksuar që një ditë përpara. Dinim pak a shumë orën e mbërritjes rreth orës 12:00, mbërriti në 11:00, pak më përpara. Do ikte rreth orës 3, ka hyrë në aeroportin e Rinasit, ka vulosur pasaportën normal, ka ardhur në Tiranë, ka qëndruar në hotel Sheraton, ka shkuar në Klan, është rikthyer në aeroport, ka hyrë po nga dera qendrore e aeroportit, ka vulosur pasaportën. Në qoftë se kjo quhet sekrete, është sekret. Në qoftë se është publike, është publike. Unë nuk e di ç’është sekrete, ç’është publike. Hyrja sekrete në Shqipëri duhet të pyesni Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn t’ju tregojë se ç’domethënë të hysh në mënyrë sekrete në një vend.”

Gazetarja: Çfarë do të dëshmojë për opinionin publik ky biznesmen kaq shumë i përfolur ditët e fundit?

Blendi Fevziu: “Është një intervistë mjaft interesante. Është një intervistë e fokusuar tek të gjitha akuzat që atij i janë bërë nga mediat dhe më gjerë dhe nga politika shqiptare. Është hera e parë në jetën time që unë kam bërë të paktën 71 pyetje në mos gaboj, në qoftë se ka dhe ndonjë ndërhyrje të mesme ndaj një personazhi. Kishte një defekt që flet shkurt, nuk është njeri që flet gjatë dhe e komplikon, por ka gjëra mjaft interesante.”/tvklan.al