Artisti dhe instrumentisti i njohur Robert Radoja është një prej personazheve për vitin 2024 të përzgjedhur nga emisioni “Opinion”.

Në studio, i madhi Robert Radoja flet për karrierën e tij të pasur si instrumentist dhe pedagog në Akademinë e Arteve. Që në moshën 4-vjeçare ai nisi të mësonte pianon dhe sot pas 81 vitesh vazhdon ende të ushqejë pasionin e tij për profesionin e jetës.

Blendi Fevziu: Kur e ke nisur karrierën?

Robert Radoja: Shumë i vogël. 4 vjeç kam filluar të mësoj pianon. Pastaj e mesme në Liceun Artistik, kam punuar dy vjet dhe pastaj mu hap shkolla e lartë. Mbarova shkollën e lartë dhe me thënë të drejtën nuk kisha shumë dëshirë që të kthehesha në Shkodër.

Blendi Fevziu: Nuk kishe dëshirë të ktheheshe në Shkodër, pse?

Robert Radoja: Janë arsye jo publike. Punova 25 me fëmijët e Tiranës në Pallatin e Pionierëve. Pastaj u transferova në Kinostudio, ku punova 4-5 vjet dhe e mbylla karrierën time në Akademinë e Arteve si pedagog.

Blendi Fevziu: Sa vjet ke që i bie pianos?

Robert Radoja: Do ju duket pak çudi po kam 81 vjet.

Blendi Fevziu: 81 vjet që i bie pianos?!

Robert Radoja: A dini se cila është arsyeja? Këtë fat e kanë vetëm instrumentistët, që e kanë karrierën deri në ditën e fundit./tvklan.al