Java e katërt e “Kënga Magjike” në Tv Klan shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e këtij edicioni. Zyrtarisht në garë, sapo janë prezantuar disa nga këngët me tematike sociale në festival.

Blerina Braka, këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, “troket” për të shtatin vit në skenën magjike. Ndër vite ajo i ka kënduar dashurisë, ku një ndër këngët e saj më të njohura është “Mirupafshim dashuri”, pjesëmarrëse në vitin 2017.

“Mirëmëngjes”, titullohet kënga e saj konkurruese, një baladë epike, e cila vjen si një thirrje shprese për të gjitha vajzat dhe gratë e mbijetuara nga dhuna.

Në intervistën ekskluzive me producentin Ardit Gjebrea, këngëtarja ndau shumë momente nga jeta personale, ku edhe bëri me dije se kënga është një dedikim jo vetëm për të gjitha gratë, por edhe për motrën e saj, e cila ka përjetuar episode të vështira.

Pentagrami i pyetjeve, “sfidoi” Blerinën të ndante dy momente nga jeta e saj. Ekskluzivisht për “Kënga Magjike”, ajo zbuloi momentin më të vështirë në jetë, por edhe momentin më emocionues.

Braka u shpreh: Një nga momentet më të vështira që më ka ndodhur, është humbja e babait tim, por në krye të vitit rreth të njëjtës datë, vjen në jetë djali im i dytë.

Gjithashtu, ajo zbuloi se preferon që partneri i saj të ketë më shumë vepra se fjalë në dashuri.

/tvklan.al