Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kthehet për rishqyrtim në KRT e bashkisë së Elbasanit, studimi urbanistik për qendrën e qytetit. Projekti për qendrën e re të qytetit u miratua rreth një muaj më parë, mirëpo më pas ky projekt ka qenë në qendër të kritikave dhe kundërshtimeve nga specialistët dhe ish-pronarët.
Kundër këtij projekti janë paraqitur rreth 70 ankesa pranë KRT-së së bashkisë. Edhe prefekti i qytetit ka kërkuar që të studiohet më mirë ky projekt, sidomos për pjesë të tilla të qytetit siç janë Muzeu Etnografik, si dhe prefektura e qytetit e ndërtuar në vitin 1924. Bashkia dhe KRT kanë marrë në shqyrtim ankesat e bëra dhe nëse ato do të merren parasysh atëherë studimi urbanistik për qendrën e qytetit do të bjeri poshtë.
Edhe këtë vit, rreth 200 mijë banorët e qytetit të Elbasanit dhe të periferisë kanë vështirësi të mëdha për të frekuentuar plazhet e vendit. Kjo pasi akset kryesore të qarkullimit të automjeteve janë të bllokuara për shkak të gjendjes shumë të keqe të rrugëve. Kështu aksi Elbasan-Peqin është aktualisht i pakalueshëm, sepse punimet e nisura në këtë rrugë kanë mbetur përgjysmë.
Elbasani pritet që të përfitojë përsëri fonde nga projektet e Bankës Botërore në sistemin e vaditjes. Specialistë nga vendi dhe bota kanë inspektuar nga afër investimet e bëra në këtë rreth me fondet e BB. Investimet e Bankës Botërore në këtë rreth kapin shumën e rreth 5 milion dolarëve./tvklan.al