Besnik Mustafaj: “Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, parti pjestare e aktive në koalicionin qeverisës dhe njëherazi kryetari i Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Rendin dhe Shërbimin Informativ zoti Neritan Ceka, sulmoi publikisht kryetarin e prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Osmo Lipponen. Me gjuhën tejet kërcënuese, që përdori zoti Ceka, u kujtoi shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar kohën e izolimit të Shqipërisë. Partia Demokratike vlerëson edhe një herë lart punën e kryer nga prezenca e OSBE-së në Tiranë, e drejtuar nga ambasadori Lipponen për të kryer reformën zgjedhore, për të arritur te zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”
Edi Paloka: “Shkalla e lidhjes së krimit me pushtetin ka arritur në atë nivel, sa gjithnjë e më shpesh, si ekzekutor direkt të krimeve të rënda po rezultojnë fëmijët, nipërit apo kushërinjtë e ministrave dhe funksionarëve të lartë të Partisë Socialiste. Rasti më i fundit është ai i Erjon Toskës, kushëririt të ministrit të Rendit Igli Toska, i cili u kap me drogë dhe u lirua para pak ditësh, bile duke u paraqitur dhe si viktimë. Asnjë nga fëmijët apo kushërinjtë e qeveritarëve të kapur në flagrancë për krime të rënda, si vrasje, plagosje, trafik droge, prostitucioni apo trafik klandestinësh, nuk është dënuar nga drejtësia.” /tvklan.al