Ministria e Ndërtimtarisë në Qeverinë serbe, ka bërë të ditur se është publikuar i gjithë dokumentacioni lidhur me rrënimin e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit që rezultoi me 15 viktima dhe u ka bërë thirrje publike ekspertëve dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë që t`u drejtohen që së bashku të shqyrtohet ky dokumentacion kontestues.
Një veprim i këtillë i autoriteteve qeveritare serbe, vjen pas protestave disa muajshe të studentëve ku një ndër kërkesat e tyre për ndërprerjen e pakënaqësisë qytetare është edhe publikimi i dokumentacionit të plotë për rikonstruimin e stacionit hekurudhor.
Ndërkohë, qindra studentë, të përkrahur edhe nga qytetarë tjerë, e kanë kaluar natën në afërsi të Urës së Lirisë në Novi Sad, në kuadër të bllokadës 24-orëshe. Bllokada ka nisur më 1 Shkurt, në tremujorin e incidentit në këtë qytet.
Njoftimet e mediave të pavarura serbe thonë se tubimi në fjalë ku është shënuar tremujori i aksidentit që mori 15 viktima, është historik dhe diçka që Novi Sad nuk mban mend.
Ndërkaq, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë një turi të vizitave në rajone të Serbisë, ka deklaruar se ngjarjet e muajve të fundit në Serbi paraqesin tentativa të drejtpërdrejta të agjencive të huaja të spiunazhit për të rrënuar Serbinë.
“Nuk do të ketë as qeveri kalimtare e as të ekspertëve do të jetë qeveri serbe. Zgjedhje – mundet, referendum – mundet, demokraci, gjithçka, por nuk do të ketë qeveri të shërbëtorëve dhe servilave ndaj tjerëve. Këtë film nuk do ta shohin derisa jam gjallë dhe President i këtij vendi”, tha Aleksandër Vuçiç.
Kundër politikave të Presidentit Vuçiç duket se po kthehet edhe Televizioni Publik i Serbisë – RTS.
Partia në pushtet e Vuçiç, e ka quajtur skandaloze raportimin e RTS-së për protestat në Novi Sad duke vlerësuar se ka shkelur të gjitha vlerat e gazetarisë së pavarur.
Ndryshe, RTS në edicionin e djeshëm të lajmeve në orën 16.30 emëtoi një reportazh 5-minutësh për protestat në Novi Sad, kurse për herë të parë në raportimet e kësaj medie u gjetën xhirime ku shihen lumej njerëzish që marrin pjesë në protesta.
Ndërkohë, mbështetje studentëve të Serbisë u vijnë edhe nga rajoni dhe bota. Dje janë mbajtur tubime mbështetëse në disa qytete të Kroacisë, kurse pas nominimit zyrtar të rezistencës studentore për Çmimin Nobel për paqe, në mediat serbe jehonë të madhe kishte marrë mbështetja që kishte ardhur nga ylli i pop-muzikës, Madona.
Klan News