Teksa shumë vende në Europë dhe në botë po përballen me probleme me linjat ajrore si pasojë e problemeve teknike me linjat e internetit dhe komunikimit, sistemet në Aeroportin e Rinasit po funksionojnë normalisht pasi bëhet fjalë për sistem ndryshe nga ato që janë prekur nga ky lloj “black out”.
Në Aeroportin e Rinasit, sipas Autoritetit Ajror Civil ka 2 sisteme paralele dhe deri më tani sa i përket nisjeve nuk është raportuar për asnjë problematikë. E kundërta ndodh me mbërritjet në Rinas si pasojë e sistemeve që janë prekur nga problemet teknike në disa shtete të Europës apo botës.
Referuar të njëjtin burim, disa prej linjave ndërkombëtare që ishin parashikuar të mbërrinin në Shqipëri kanë vonesa dhe disa prej tyre janë anuluar. Kjo për shkak të problemave që janë shkaktuar në vendet e tyre të origjinës dhe jo nga ai i mbërritjes, siç është ai i Rinasit.
Gjatë një vëzhgimi që gazetari i Klan News, Maksi Rama ka bërë gjatë ditës së sotme në Aeroportin e Rinasit, linjat nga aeroportet italiane, gjermane apo edhe të Londrës, përgjithësisht kanë vonesa apo janë anuluar.
Ndryshe ndodh me disa aeroporte të tjera, siç janë ato të Emirateve të Bashkuara apo Dubai që po mbërrijnë normalisht në orar në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza. Ndërkohë, në Shqipëri nuk janë shfaqur problematika as në sistemet e bankave apo kompani të ndryshme.
DEKLARATË ZYRTARE PËR SITUATËN NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS:
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) i paprekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) konfirmon se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale dhe të paprekura nga kriza e fundit e sistemeve kompjuterike në mbarë botën.
Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA.
Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës.
TIA mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.
/tvklan.al