Në Tiranë, u mbajt për herë të parë konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit, forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të Autoriteteve botërore rregullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencën.
Takimi u zhvillua me organizimin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Rama.
Në fjalën e mbajtur, Komisioneri Besnik Dervishi u ndal te rëndësia që ka e drejta e informimit dhe garantimi i transparencës.
“Më duhet të theksoj se shoqëria civile, media, bota akademike apo të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë, luajnë një rol thelbësor në promovimin e transparencës me kontributin e vazhdueshëm të tyre. Në Shqipëri, si në shumë pjesë të botës, ne e dimë zhgënjimin e qytetarëve kur ata hasin burokraci, kur informacioni i kërkuar nuk jepet në kohë apo kur gazetarët e duan atë në çast për të bërë lajmin e tyre”, theksoi ai.
Fjala e plotë e komisionerit Besnik Dervishi:
Të dashur Komisionerë, delegatë, folës, partnerë dhe të ftuar,
I nderuar Zoti Kryeministër,
Të nderuar Presidenti Busia, Ambasadorë, Drejtues të Autoriteteve Shqiptare,
Është një nder dhe privilegj për mua që të jem para jush sot si mikpritës i edicionit të 15-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit.
Në kohët që jetojmë, me transformimin e shoqërisë dhe me teknologjinë moderne e inteligjencën artificiale, ne kemi mundësinë të kemi akses të menjëhershëm në informacion dhe të dhënat publike, edhe pse kjo e fundit na paraqet sfida të tjera si në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Ligji i parë për të drejtën e informimit, daton në sekullin e 18, por pas viteve 90 me përhapjen e idealeve demokratike edhe në Evropën lindore, një numër gjithnjë e në rritje i vendeve evropiane dhe atyre të Amerikës Latine miratuan akte ligjore për transparencën.
Sot, mbi 120 vende në botë kanë një kuadër ligjor që garanton aksesin në informacion, fakt i cili tregon se si komuniteti ynë është rritur përgjatë këtyre viteve.
Më duhet të theksoj se shoqëria civile, media, bota akademike apo të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë, luajnë një rol thelbësor në promovimin e transparencës me kontributin e vazhdueshëm të tyre.
Në ndonjë rast çështje apo kërkesa të ndryshme ngjallin edhe debate të ndezura mes nesh, por ne Komisionerët shpesh përpiqemi të vendosim ekuilibrat e duhur në respekt të të drejtave të njeriut.
Në Shqipëri, si në shumë pjesë të botës, ne e dimë zhgënjimin e qytetarëve kur ata hasin burokraci, kur informacioni i kërkuar nuk jepet në kohë, apo kur gazetarët e duan atë në çast për të bërë lajmin e tyre.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, ne duhet të mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të nxitur transparencën e autoriteteve publike duke respektuar ndërkohë kuadrin ligjor dhe parimet etike.
Duke ndarë praktikat më të mira, duke shfrytëzuar teknologjitë e reja dhe duke u përkushtuar për përmirësim të vazhdueshëm, jam i bindur se ne mund të kapërcejmë barrierat tona.
Në këto kohë që jetojmë, ku revolucioni teknologjik dhe procesi i digjitalizimit na rrethon ngado, apo në periudha krizash ku dhënia e informacionit bëhet jetike, e në disa raste mund të shpëtojë edhe jetë, të gjithëve së bashku, na duhet të konvergojmë forcat në mënyrë që t’ju shërbejmë sa më mirë qytetarëve, dhe në veçanti grupeve të margjinalizuara.
E drejta për t’u informuar është gur themeli i demokracisë, transparenca, llogaridhënia, pjesëmarrja në vendimmarrje, lufta kundër korrupsionit, janë parime të cilat nuk mund të realizohen pa akses në informacion.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, aksesi në informacion luan një rol kyç në adresimin e sfidave mbi çështjet e mjedisit apo ngrohjen globale, pasi bërja publike e informacionit u jep mundësinë aktorëve të cilët janë në frontin e parë të përpjekjeve, për zhvillimin e politikave të duhura për një të ardhme të qëndrueshme.
Për këto arsye, institucionet publike dhe zyrtarët e shteteve duhet të jenë të përgjegjshëm, duke siguruar që transparenca të mos jetë thjesht një ideal, por një praktikë dhe kulturë pune.
Rruga përpara është sfiduese, por gjithashtu plot me potencial të jashtëzakonshëm.
Së bashku, mund të krijojmë një të ardhme ku informacioni buron lirshëm, rrjedh në shtratin e tij ligjor dhe derdhet ne detin e madh të dijes, në shërbim dhe garanci për fuqizimin e çdo individi.
Ashtu si edhe simbolika e kësaj Konference Lumi Vjosa, lumi i fundit i egër ne Evropë.
Le t’i përkushtohemi kësaj kauze fisnike dhe të sigurojmë që aksesi në informacion të bëhet një realitet i prekshëm për të gjithë.