Liga Profesioniste e Futbollit është ende e paqartë për veprimet që duhet të ndërmarrë që kërkesat ekonomike dhe argumentimet përkatëse për realizmin e tyre të dëgjohen nga qeveria.
Nga njëra anë, kreu i ekzekutivit Edi Rama tha shkurt dhe qartë se nuk do të marrë në konsideratë këto kërkesa.
Nga ana tjetër, i deleguari i tij, deputeti socialist Fidel Ylli, u ka dhënë shpresë drejtuesve të Ligës së nëse nis kampionati, Kryeministri është i gatshëm të ulet në negociata. Këtë e ka rikonfimruar edhe dy ditë më parë për Presidentin e Ligës Edvin Libohova në një takim informal.
Qëllimi i këtij takimi ishte të intensifikoheshin kontaktet dhe të vendosej një menyrë dialogu në mënyrë që të kuptohej nëse qeveria do të bënte hapa drejt kërkesave të futbollit ose jo. Por nga deputeti Ylli janë dëgjuar të njëjtat fraza, sikurse në mbledhjen e Ligës. Qeveria e konsideron bojkotin shantazh.
“Nisni kampionatin që të gjendet mundësia e uljes në negociata me Kryeministrin”, ka ripërsëritur deputeti Ylli.
Drejtuesit e Ligës së Futbollit mbetën të zhgënjyer jo vetëm nga fjalët e Kryeministrit por edhe nga i deleguari i tij. Në radhët e tyre është krijuar bindja se Qeveria kërkon ta zvarrisë këtë çështje.
Pikërisht kjo sjellje që po tregohet ndaj kërkesave ekonomike të futbollit ka bërë që klubet të jënë të vendosur në bojkotin e tyre.
Mbetet ende për t’u përcaktuar se çfarë do të bëjë Liga Profesioniste për realizimin e kërkesave, si do të jetë protesta e radhës.
Tv Klan