Gjykata administrative, e cila do të favorizonte në mënyrë të ndjeshme klimën e biznesit, po mbahet peng nga opozita, e cila prej dy javësh nuk merr pjesë në parlament dhe në komisionet përkatëse të ligjeve. Sipas Deputetit të Partisë Demokratike Eduart Halimi, kuadri ligjor për ngritjen e këtij institucioni është gati, por miratimi i tij kërkon dhe pjesëmarrjen e opozitës, një kërkesë kjo që u përsërit edhe nga presidenti Topi në takimin e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Eduart Halimi: “Qeveria e ka gati të gjithë infrastrukturën e nevojshme, do të duhet vetëm pak kosh për ta përgatitur atë, por sigurisht që hapat procedural janë hapa që do të duan kohën e vet siç është një nga çështjet kryesore, marrja pjesë e opozitës në procesin e miratimit të ligjit. Domosdoshmëri kjo prej 84 votash gjë të cilën mazhoranca e sotme ka vetëm 74. Gjykata Administrative synon t’i zgjidhë çështjet nga një gjykatë dhe nga një trup gjyqësor të cilët anë të aftë profesionalisht dhe janë kompetent për zgjidhjen e tyre, profesionalisht dhe formalisht dhe nga ana tjetër, t’i zgjidhë në një kohë tejet të arsyeshme.”

Sipas Halimit ky institucion do të ketë trupa gjykues të specializuar në organiken e tij dhe jo gjyqtarë me dije të përgjithshme administrative siç ndodh aktualisht në gjykatën e Tiranës. Mungesa e konsensusit të opozitës në lidhje me gjykatën administrative është vënë re që në javët e fundit të punimeve të parlamentit të kaluar, ku mos kontributi i PS për këtë çështje u kritikua ashpër edhe nga biznesi./tvklan.al

Gazetar: Julian Kasapi