Ligji për ngritjen dhe funksionimin e gjykatës administrative është një nga më të rëndësishmit dhe për reformën në sistemin e drejtësisë.

Tashmë ky ligj është futur në diskutim në agjendën e punimeve të kuvendit. Mazhoranca parlamentare dhe biznesi kanë kërkuar miratimin e shpejtë të këtij ligji, por për këtë nevojitet dhe votat e opozitës.

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, e sheh kthimin e opozitës në kuvend si një shans për kalimin e këtij ligji.

Bujar Nishani: “Neve jemi një vend tashmë me institucione të konsoliduara. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe momenti që kemi mbërritur në këtë pikë ka përshkuar një rrugë të gjatë edhe të hartimit e të konsolidimit të instrumenteve dhe të kuadrit ligjor. Ne kemi një kuadër ligjor të standardeve evropiane, të cilat bëjnë funksionuese demokracinë dhe funksionuese institucionet në Shqipëri, por nuk ka dyshim që ky kuadër ligjor ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, për plotësime të mëtejshme, në mënyrë të tillë që këto instrumente të sistemit të drejtësisë të funksionojë në mënyrë më fleksibël dhe të funksionojë në mënyrë më eficente. Kemi një rast konkret që është për shembull Gjykata Administrative, e cila ende mbetet për t’u miratuar në parlament.”

Në këtë rast opozita ka një detyrim kushtetues të përgjegjësive që ajo ka për angazhimin dhe për të dhënë kontributin përmes ekspertizës, qëndrimit politik si dhe përmes votimit dhe kalimit të shumë ligjeve nëpërmjet funksionimit parlamentar.

Bujar Nishani: “Nëse e injoron këtë përgjegjësi, natyrisht kjo është një përgjegjësi pastaj politike që i takon dhe i mbetet kolegëve të opozitës që natyrisht duhet ta konsiderojnë këtë kontribut si një kontribut që i bëhet shtetit që do të qeveriset nga shumë qeveri në dhjetëra vjeçarë dhe dekada”./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani