Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Olli Rehn paralajmëroi se bojkoti i parlamentit nga opozita shqiptare do të ketë një impakt negativ në shanset e Shqipërisë për të patur statusin kandidat.
Deklarata e zyrtarit evropian u dha në një konferencë për shtyp pas takimit në Bruksel me shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta.
Olli Rehn: “Në rast se do të vazhdojë bojkoti parlamentar, do të kishte një impakt negativ në analizimin e kritereve politike në shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat. Një opinion lidhur ketë çështje ka mundësi të ndodhë në muajin Nëntor.”
Rehn ndërkaq i bëri thirrje opozitës t’i japë fund bojkotit e ti kthehet parlamentit.
Olli Rehn: “Dua të them diçka lidhur me pjekurinë demokratike, ku progresi drejt BE-së kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik mbi prioritetet kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të ecë përpara në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Unë i bëj apel opozitës në vend që ti japë fund bojkotit, pasi nuk respektohen standardet demokratike të BE-së. Debati demokratik duhet të zhvillohet në parlament. Kjo është shumë e rëndësishme në këtë periudhë, pasi BE, po e merr në konsideratë dhe besoj se shumë shpejt komisioni do të japë një opinion lidhur me aplikimin e Shqipërisë në BE. Një kriter politik shumë i rëndësishëm është stabiliteti demokratik dhe bojkoti nuk është në përputhje me këtë.”
Duke përforcuar edhe më tej deklaratën e komisionerit për zgjerim, zëvendës kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se qeveria shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën.
Ilir Meta: “Qeveria është e gatshme të punojë me opozitën ne këtë proces e në vazhdimësi kemi shprehur vullnetin tonë të fortë lidhur me këtë çështje, por pa shkelur pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e gjykatës. Presim që opozita të marrë përgjegjësitë e saj në mënyrë serioze. Qeveria shqiptare do të thellojë edhe më tej procesin e reformave dhe jemi të vetëdijshëm se në cilat fusha ky progres duhet të jetë shumë i prekshëm. Ne presim shumë shpejt që këshilli të marrë një vendim.”
Sa i takon heqjes së vizave mes Shqipërisë e Bashkimit Evropian, Rehn tha një gjë e tillë do të ndodhë deri në mesin e vitit 2010.
Olli Rehn: “Në rast se qeveria dhe autoritetet në vend do të vazhdojnë punën në arritjen e kritereve atëherë komisioni do të propozojë heqjen e vizave deri në mesin e vitit 2010. Unë do të ushtroj të gjithë ndikimin tim që kjo të ndodhë.”
Takimi Meta-Rehn i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe bashkëpunimit me vendet e rajonit, ku Shqipëria është e vendosur të çojë përpara angazhimet për të qenë një faktor stabiliteti në rajon./tvklan.al