Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në Tv Klan ishte moderatorja mjaft e njohur, Bora Zemani.
Ajo u shpreh se fillimet e izolimit i ka përjetuar pak keq, për shkak të paqartësisë së situatës dhe pasigurinë se çfarë mund të ndodhte. Pavarësisht vështirësive, Bora shprehet se duket sikur e kemi kaluar sikletin më të madh dhe kjo periudhë i ka shërbyer për të qëndruar më afër familjes.
Rudina Magjistari: Leximi duhet të ketë qenë një nga aktivitetet e tua më të shpeshta të kësaj periudhe, është kështu?
Bora Zemani: Në fakt kam lexuar, por jo më shumë se në periudhën tjetër, përpara kësaj karantinës. Mendova se me këtë izolimin do i lexoja dhe do rehatohesha në lexim, por nuk ka ndodhur kështu.
Rudina Magjistari: Pse nuk ka ndodhur?
Bora Zemani: Po nuk e di, ndoshta sepse fillimet e izolimit i kam përjetuar pak keq me thënë të drejtën. Jo për mbylljen në shtëpi, apo mungesën e punës apo nëpër aktiviteteve të përditshme që kisha, por për paqartësinë që kishim të gjithë. Dhe nuk përqëndrohesha dot nëpër lexime librash, me shumë më ikte koha duke marrë informacione lajmesh, po dale të lexoj çfarë po ndodh me situatën.
Rudina Magjistari: Duket sikur kemi kaluar periudhën më të keqe, të paktën kështu është deklaruar deri tani. Edhe shpresojmë të jemi afër fundit.
Bora Zemani: Neve vetë na duket sikur e kemi kaluar atë sikletin më të madh, sikur jemi mësuar tani pas një muaji të izoluar, ato fillimet ishin vërtet të vështira. Ndoshta mua apo disa njerëzve të tjerë nuk na takon të themi që e kemi vuajtur izolimin, më tepër e kemi shijuar qëndrimin afër njerëzve tanë. Megjithatë ankthi ka qenë shumë i madh, në fillim duke parë se çfarë ndodhte në shtetet e tjera, kishim atë frikën e madhe, obobo çfarë do ndodhë dhe me ne./tvklan.al