Bota i dha lamtumirën 2024-ës dhe ka mirëpritur 2025-ën me shfaqje spektakolare të fishekzjarreve.

Hong Kongu mirëpriti Vitin e Ri me një shfaqje shumëngjyrëshe fishekzjarresh mbi portin Victoria. Shfaqja me fishekzjarre u mbajt teksa shoqërohej edhe nga muzika.

Ndërsa në Tajvan shfaqja 6-minutëshe e fishekzjarreve ishte me temën “Ekipi Kampion i Tajvanit” për shkak të fitores së ekipit te bejsbollit në një kampionat ndërkombëtar gjatë muajit Nëntor.

Fishekzjarret u hodhën nga ndërtesa më e lartë e Tajvanit, e cila është 508 metra  e lartë.

Edhe Tajlanda mirëpriti Vitin e Ri, ndërsa shumë banorë u lutën për paqe në botë.

“Dua të shoh paqe, një botë më të bukur dhe që të gjithë në mbarë globin të jenë të lumtur, pavarësisht se ku janë apo në cilin vend janë”.

Spektakolare ishte edhe shfaqja me fishekzjarre në rrokaqiellin më të lartë të Dubait, Burj Khalifa.

Qindra vetë u mblodhën për të parë shfaqjen gati 9-minutëshe të titulluar “Përtej ëndrrave”. Ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kombinuar shfaqjen me fishekzjarre me atë të dronëve.

Ngjashëm ishin festimet edhe në Katar.

Edhe vendet e Evropës mirëpritën vitin e ri me shfaqje fishekzjarresh nga pikat e tyre turistike.

Parisi e nisi vitin 2025 me fishekzjarre masive. Mijëra u mblodhën në rrugën Champs Elysees të kryeqytetit francez për të parë shfaqjen dhe për të festuar Vitin e Ri.

Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar pavarësisht paralajmërive për mot të keq festimet nuk u ndalën.

Kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan uroi qytetarët në platformën e mediave të tij sociale.

Ndërsa në shtetin fqinj festimet ishin shumë të kufizuara për shkak se autoritet thonë se shfaqja e fishekzjarreve shkakton shqetësim të madh tek kafshët shtëpiake. Sipas studimeve, mjetet piroteknike shkaktojnë reagime paniku te kafshët.

Atmosferë e jashtëzakonshme ishte edhe në Nju Jork. Kompania që menaxhon sheshin e njohur ‘Times Square’ testoi rënien e topit të famshëm, simbolin e vitit 2025, numrat, dritat dhe mijëra kristalet që janë pjesë e traditës së njohur të pritjes së Vitit të Ri që ka nisur nga viti 1907.

Nuk munguan perfomancat nga artistë të njohur si Rita Ora, TLC, Jonas Brothers dhe Sophie Ellir-Bextor.

Ndërsa miliona persona u mblodhën në plazhin e famshëm Copacabana të Rio de Zhaneiros për të pritur Vitin e Ri.

Njerëzit u argëtuan gjatë gjithë kohës me shfaqje nga muzikantë të njohur. Koncerte u mbajtën gjithashtu në vende të tjera në Rio de Zhaneiro me gjithsej 13 skena të shpërndara në të gjithë qytetin.

Sipas mediave lokale, autoritetet vendosën mijëra policë shtesë në pika strategjike në qytet gjatë festimeve për t’u siguruar që festimet të shkonin pa incidente.

Klan News