Presidenti i zgjedhur Donald Trump mund të jetë vendimtar në përfundimin e luftës 34-mujore me Rusinë.
Kështu ka deklaruar në një intervistë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për televizionin shtetëror ukrainas duke përmendur gjithashtu se prioritet është stabilizimi i vijës së frontit në fillim të vitit të ri.
“Trump mund të jetë vendimtar. Për ne kjo është gjëja më e rëndësishme. Cilësitë e tij janë vërtet aty. Ai mund të jetë vendimtar në këtë luftë. Ai është në gjendje të ndalojë Putinin ose, për ta thënë më drejtë, të na ndihmojë të ndalojmë Putinin. Ai është në gjendje ta bëjë këtë”, tha Zelensky.
Zelensky tha gjithashtu se Putin ka frikë nga negociatat pasi ato do të ishin të barazvlefshme me një disfatë për Rusinë. Ndër të tjera ai u shpreh se arritja e një paqeje të drejtë për Ukrainën nënkupton marrjen e garancive solide të sigurisë nga aleatët e saj, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe marrjen e një ftese për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s, një nocion i refuzuar nga Moska.
“Sigurisht, do të doja që plani i propozuar i Presidentit Trump të përputhej me pikëpamjen tonë. Nuk mund të jetë ndryshe. Ne jemi Ukraina dhe është pavarësia jonë, toka jonë dhe e ardhmja jonë. Natyrisht, çdo garanci sigurie pa Shtetet e Bashkuara është garanci e dobët sigurie për Ukrainën”, tha Zelensky.
Mes të tjerash ai u shpreh se zgjedhjet e reja nuk mund të mbaheshin për sa kohë që ekzistonte gjendja e jashtëzakonshme për shkak të luftës, por tha se do të konsideronte kandidimin përsëri pasi ta lejonin kushtet.
Presidenti ukrainas u shpreh gjithashtu se shpreson që administrata e Trump të vendosë kontakte të shpejta me Rusinë. Putin ka thënë se Moska është e hapur për bisedime, por ato duhet të marrin parasysh arritjet e Rusisë në luftë dhe aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës.
Klan News