Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai do duhet të paraqitet dy herë në muaj para policisë gjyqësore. Vendimi u dha nga gjyqtari Engert Pllumbi.
“Urdhërohet i pandehuri Sali Berisha të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00”, njoftoi gjykata.
Avokati i Berisha u shpreh pas seancës se janë të paqartë me vendimin. Sipas Genc Gjokutajt, ai nuk zgjidh asnjë lloj problemi.
“Ju them që ne nuk e kemi të qartë këtë vendim. Vijmë prapë në krye të herës te kjo histori. Duhet të keni parasysh që vendimi nuk është zbardhur, por ky vendim është zgjidhja më e keqe që është dhënë ndonjëherë sepse kjo nuk ka zgjidhur asnjë lloj problemi, përveçse ka hapur një kapitull të ri që sigurisht ne do ta ndjekim”, tha Gjokutaj.
I pyetur se nëse Berisha do të paraqitet në policinë gjyqësore pas vendimit, Gjokutaj tha se “nuk bëjmë parashikime, vendimmarrja është e Berishës”.
Ishte Prokuroria e Posaçme e cila ankimoi vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme pasi e liroi Berishën nga arresti shtëpiak dhe nuk i dha asnjë masë shtrënguese.
Dy prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai e ankimuan këtë vendim me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet që gjykata ta nxirrte nga arresti shtëpiak ish-kryeministrin Sali Berisha. Por avokatët e kryedemokratit deklaruan se ky ankimim nga SPAK ishte i pavend.
Kujtojmë se kryedemokrati Sali Berisha qëndroi i izoluar në banesën e tij për 11 muaj, ndërsa e fitoi lirinë më 27 Nëntor 2024. Ai akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”./tvklan.al