Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka kujtuar sot Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Xhaçka thotë se antisemitizmi duhet luftuar gjithmonë, teksa vlerëson popullin shqiptar në rolin që kanë luajtur për shpëtimin e hebrenjve.
Xhaçka ka publikuar një video historike, ku evidentohet roli themeltar që diplomacia shqiptare dhe populli shqiptar patën në këtë kauzë.
Në video tregohen disa prej momenteve kyçe që vulosën fatin e qindra hebrenjve në Shqipëri, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura, si dhe të gjithë ata që dolën kundër të keqes më të madhe të kohës. Kurrë nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën tonë ndaj antisemitizmit. Thellësisht krenarë për Shqipërinë, shqiptarët dhe shërbimin diplomatik në misionin e shpëtimit të hebrenjve”, shkruan ministrja Xhaçka. /tvklan.al