Kroacia do të mbështesë në nivel ekspertesh Shqipërinë për plotësimin e pyetësorit të Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat, që pritet te mbërrije brenda muajit Dhjetor.
Garancia i është dhënë ne Zagreb Ministres së Integrimit, zonjës Majlinda Bregu, nga Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Jandrokoviç.
Kryediplomati kroat është shprehur se ekspertet e vendit të tij janë të gatshëm të kontribuojnë në të gjitha fazat e pyetësorit, për të dhënë eksperiencën e tyre për një çështje të cilën Kroacia e ka kapërcyer me sukses.
Ai vlerësoi punën e bërë nga qeveria shqiptare në procesin e integrimit dhe u shpreh se përafrimi i Shqipërisë me Bashkimin Evropian do të ndihmoje në stabilizimin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit.
Ndërsa ministrja Bregu e informoi zotin Jandrokovic mbi ngritjen e strukturave në funksion të plotësimit të pyetësorit si dhe mbi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për përmbushjen e kritereve për anëtarësim.
Gjatë vizitës së saj në Kroaci, ministrja Bregu mori pjesë dhe në konferencën rajonale “Përfundimi i Negociatave për Anëtarësim me Kroacinë dhe Perspektiva për Anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.
Duke folur në këtë konference ajo tha se qeveria shqiptare është optimiste se do t’i përmbushë brenda afateve plotësimin e pyetësorit si dhe se brenda vitit 2010 do të arrije liberalizimin e vizave, duke qenë se po përmbush me sukses kushtet e udhërrëfyesit./tvklan.al